Fondi, sa rriten pagat dhe pensionet

Qeveria do të rrisë më pak pagat e administratës dhe do të mbajë pothuajse të njëjtin nivel rritjeje si vitin e kaluar për pensionet.Burime nga Ministria e Financave, shprehen se në ndryshimet që do të bëhen në buxhet, fondi i pagave dhe i pensioneve nuk pritet që të preken dhe kjo qartëson edhe nivelet e përafërta se ku do të jetë përqindja e rritjes për dy kategoritë. Rritja më modeste e pagave mbështetet nga një fond që është rreth 7 milionë dollarë më pak se një vit më parë. Nëse për 2010-n fondi për rritjen e pagave ishte 22 milionë dollarë, këtë vit, fondi është 14.9 milionë dollarë. Por, sa pritet që të rriten realisht pagat në vend nga 1 korriku? Nëse vjet mjekët ishin shtresa që mori rritjen më të madhe në përqindje prej 11 përqindësh, këtë vit maksimumi i rritjes pritet të limitohet në shifrën 10 për qind të vlefshme; kjo për pagat e ulëta, ndërsa minimumi do të jetë në nivelin 4 për qind për pagat e konsideruara si të larta. Ashtu sikurse dhe një vit më parë, zyrtarët e lartë rrezikojnë mos të përfitojnë 1 përqindëshin e tyre. Fondi i parashikuar në buxhet prej 14.9 milionë dollarësh nuk do t’i lejojë qeverisë rritje më të lartë pagash për disa kategori, siç janë mësuesit apo infermierët, rrogat e të cilëve kanë pasur rritje të dukshme prej 9-10 për qind, të paktën referuar vitit të kaluar. Rritje të vogël të pagave, e përforcon edhe më shumë fakti që administrata ka mbetur pothuajse e njëjta në numër, krahasuar me një vit më parë.

Pensionet
Në ndryshim nga rritja e pagave, pensionet pritet që të ruajnë të njëjtin nivel rritjeje sikurse dhe një vit më parë, me një tendencë mbase më pozitive për pensionet e ulëta. Fondi i parashikuar në buxhet për vitin 2011 është 20 milionë dollarë dhe të njëjtat burime nga Ministria e Financave konfirmojnë se, gërshërët e shkurtimeve në buxhet nuk do të prekin këtë fond. Krahasuar me një vit më parë, fondi është në të njëjtat nivele, pasi në 2010-n, ky fond ishte 21 milionë USD së bashku me pjesën e parave që shkonin për të kompensuar çmimin e energjisë për shtresat në nevojë. Me një fond prej 20 milionë USD, Financat parashikojnë që të ecin në të njëjtin nivel rritjeje sa 2010-ta. Kështu, nëse i rikthehemi shifrave të vjetshme, pensionet e ulëta të qytetit u rritën 6 për qind dhe ato të larta u rritën 4 për qind, kurse pensionet e fshatit 10 për qind. Edhe për këtë vit rritja maksimale pritet të jetë ajo për pensionet në fshat me nivelin 10 për qind, kurse rritja e pensioneve të ulëta të qytetit, pritet që të variojnë në nivelin 7 për qind, kurse ato të larta në nivelin 4-5 për qind. Pavarësisht rritjes që ka parashikuar qeveria, duket se në disfavor të qytetarëve në tërësi për këtë vit është inflacioni. Përllogaritja e këtij të fundit bëhet nga qershori i vitit të kaluar deri në qershorin e këtij viti dhe mjafton t’i hedhim një sy gjysmës së parë të vitit 2011 për të kuptuar që efekti i shtesës, thuajse nuk do të ndihet. Me një inflacion që në këto 5 muajt e fundit ka qëndruar mbi 4 për qind dhe mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, rritja e pagave dhe pensioneve, më shumë sesa rritje sërish do të jetë indeksim.

Pagat dhe pensionet

Viti 2010

Fondi për pagat 22 milionë USD
Shtesa e pagave
• Pagat e larta 4-5 për qind
• Pagat mesme 6-11 për qind
• Pagat e ulëta 10 për qind
Fondi për pensionet 21 milionë USD
Shtesa e pensioneve
• Pensionet e ulëta 6 për qind
• Pensionet e larta 4 për qind
• Pensionet e fshatit 10 për qind

Viti 2011

Fondi për pagat 14.9 milionë dollarë
Shtesa e pagave
(parashikimi) 1-10 për qind
Fondi për pensionet 20 milionë USD
Shtesa e pensioneve
(parashikimi) 5-10 për qind

Borxhi, rriten interesat e bonove, Financat: Eurobond tjetër në 2011

Interesi i bonove të thesarit ka vijuar sërish të rritet. Në emetimin e fundit që ka bërë qeveria në fund të muajit maj, bonot me maturitet 12 muaj kanë pasur një interes mesatar të ponderuar në nivelin 7.40 për qind. Ky nivel, në fakt, nuk është shumë i lartë krahasuar me emetimin e parafundit të bonove 12-mujore e zhvilluar më 17 maj, kur interesi ishte 7.35 për qind. Kapërcimi i nivelit të interesit prej 7.3 përqindësh për bonot e thesarit erdhi menjëherë në mars, sapo Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit për lekun me 0.25 për qind. Që nga marsi e në vijim bonot e thesarit me maturitet 12-mujor kanë mbajtur nivelin mbi 7.35 për qind dhe nën 7.41 për qind. Rritja e interesave, edhe pse e ulët, jep efekt direkt në stokun e borxhit të Shqipërisë, e cila gjatë këtij viti është përqendruar më së shumti në borxhin e brendshëm, duke marrë më shumë para nga bankat në vend. Ky nivel huamarrjeje ka ardhur edhe si rezultat i fushatës elektorale. Duket se kushtet jo të favorshme në tregje për të emetuar një eurobond të dytë me interesa të leverdishme e kanë shtyrë qeverinë që ta lërë kërkimin e një eurobondi të dytë vitin tjetër. Kjo, në fakt, duket se do të ndikojë direkt në kursin e këmbimit, pasi mungesa e eurove në treg si rezultat i më pak remitancave të sjella nga emigrantët, si dhe më pak eurove të futura nga qeveria përmes një eurobondi do ta mbajnë lekun të zhvlerësuar. Euroja prej muajsh po gëzon një pozicion të favorshëm në treg, ku 1 euro shkëmbehet me 142 lekë. Zakonisht në qershor ardhja e emigrantëve e zbuste këtë efekt të kursit me euron, por këtë vit duket se nga Shqipëria më shumë do të dalin, sesa do të hyjnë euro, kjo edhe si rezultat i liberalizimit të vizave.

7.4 per qind
ishte interesi mesatar i bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor në ankandin e fundit të zhvilluar, ku Financat morën 14.9 milionë lekë. Në ankandin e mëparshëm interesi ishte 7,35 për qind

Ndryshimet në paketën fiskale

Ministria e Financave aktualisht është duke punuar në një sërë projektligjesh të rëndësishme, dy prej të cilave lidhen me paketën fiskale. Kështu, projektligji i parë është ai që lidhet me heqjen/ndryshimin e taksës së shitjes së makinës për të cilën u bënë disa muaj që punohet, ndërsa një projektligj tjetër në diskutim, është ai për akcizën e birrës. Ndërkohë që puna më e rëndësishme e Financave këtë kohë mbetet te ndryshimet në buxhet.

(NERTILA MAHO/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment