FOL: Gënjeshtrat e politikanëve

Lëvizja FOL ka publikuar pesë deklaratat e radhës të vlerësuara nga matësi i së vërtetës, ku tre janë vlerësuar si të pavërteta, një kontradiktore dhe një e vërtetë.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Qeveria janë evidentuar me nga një të pavërtetë.

Deklarata e kryeministrit me 01 qershor për arritjen e marrëveshjes me FMN-në, Fol e ka vlerësuar si të pavërtetë, pasi sipas tyre, FMN momentalisht ka përjashtuar Kosovën nga mundësia për të përfituar nga programet e saj, pikërisht ngaqë Qeveria e Kosovës nuk ka arritur marrëveshje me këtë institucion për vendimin e saj për rritjen e pagave në sektorin publik.

Si e pavërtetë në matësin e së vërtetës është vlerësuar edhe premtimi programor për reformimin e administratës publike.

Ndërkohë, si kontradiktore është vlerësuar deklarata e ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se “S`ka hair prej tyre, ruana Zot prej EULEX-it”.

E pavërtetë është cilësuar edhe deklarata e ish-presidentit Behgjet Pacolli, i cili ka mohuar të ketë parti të veten (AKR-në). Sipas matësit të së vërtetës, fakti që Pacolli ka marrë pjesë në marrëveshjen PDK-LDK-AKR, e demanton këtë deklaratë.

Në fund, si e vërtetë është cilësuar deklarata e presidentes, Atifete Jahjaga. Ajo kishte thënë më 13 maj se “Nuk është mirë për askënd që ne nuk kemi krijuar mekanizma të marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethana që jo rruga, por institucionet të jenë vendi ku gjendet zgjidhja”. Këtë deklaratë Fol e ka vlerësuar si të vërtetë.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment