FBI kthen mendje, do hetojë vetë 4 vrasjet e 21 janarit.

Byroja Federale e Investigimit, FBI, ka vendosur të ndihmojë më mirë Prokurorinë e Përgjithshme në ekspertimet e çështjes. Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj nga masakra e autoriteteve të Gardës ndaj protestuesve të paarmatosur në bulevard, ku u vranë 4 vetë, FBI nuk ishte angazhuar aq thellë në hetimet e çështjes. Ashtu sikurse në rastin e videos së Ilir Metës, ky institucion i SHBA-ve ishte afruar me kërkesë të autoriteteve shqiptare, por kishte dhënë një “diagnozë” as mish as peshk.

Ndërsa në rastin e Metës përgjigjen për provën e pakontestueshme dhe autentike e dhanë britanikët, për 21 janarin duket se FBI ka kthyer mendje. Burime nga organi i akuzës thanë se ekspertët e kësaj zyre i kanë kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme t’u vërë në dispozicion provat materiale për t’u bërë ekspertim të pavarur me pajisjet bashkëkohore investiguese dhe ekzaminuese në SHBA. Ku kurs i ri bashkëpunimi pritet që brenda dy javëve të sjellë të reja në çështjen e “21 janarit”.

Aktualisht FBI nuk ka dhënë përgjigje të qarta për predhat e plumbave dhe prova të tjera. Por ky riekspertim duhet parë si një zhvillim tepër pozitiv ku FBI shprehet e gatshme të përfshihet më thellë në çështje për të dhënë një përgjigje shkencore të pakontestueshme. Burime të besueshme thonë se do të ekspertohen të gjitha predhat e gjetura, armët e përdorura dhe shumë shpejt do të jepet konkluzioni se nga çfarë arme është qëlluar, kujt i përket dhe cilët janë të dyshuarit.

Prova këto që vështirë se mund të rrëzohen në të ardhmen nga gjykata, për shkak të pajisjeve moderne laboratorike amerikane. Rezultatet e FBI-së sipas burimeve të agjencisë tonë të lajmeve, do të shënojnë një kurs të rëndësishëm në dosjen hetimore dhe do të tronditin rëndë politikën dhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës.

(ama-news.al)




No comments:

Post a Comment