Evropa, e vendosur të ristrukturojë Shengenin

Liderët e Bashkimit Evropian pritet që të lejojnë ristrukturimin e përkohshëm të kontrollit kufitar në rast të “situatës kritike”, sa i përket imigracionit ilegal, lëvizje kjo që do e ri-definojë zonën e udhëtimit pa pasaporta brenda shteteve të Shengenit.

Diplomatët e përfshirë në përgatitjen e samitit të kësaj jave të BE-së, thonë se liderët do e përkrahin idenë e suspendimit të mekanizmit të Shengenit, fillimisht e aplikuar në pranverë nga Italia e Franca pasi u përballën me imigrantë të shumtë që largoheshin nga Afrika veriore dhe e kalonin detin Mesdhe.

Mirëpo, rregullat do t’i kufizojnë në mënyrë strikte rrethanat në të cilat kufijtë brenda-evropian mund të rikthehen, përpjekje kjo që tenton të pengojë rikthimin e njëanshëm të kontrollimit kufitar që ishte planifikuar nga Franca dhe Danimarka.

Një draft i masave të planifikuara të cilin e ka parë Financial Times, thotë se shtetet që përballen me valë imigrantësh, fillimisht do ju ofrohet ndihmë teknike nga BE-ja, si dhe një intervenim nga Frontex, agjencia që menaxhon kufijtë e Shengenit, si mbulim të boshllëqeve në kufijtë e jashtëm të tyre para se ta përjashtojnë veten nga Shengeni.

Për më tepër, legjislacioni i BE-së, që është i nevojshëm për të rikthyer përkohësisht kufijtë, vështirë që të hyjë në fuqi para fundit të këtij viti, apo mund të shtyhet edhe më tepër.

Propozimet e Komisionit Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, për të nxitur përpara këtë çështje, ishin shtyrë për në vjeshtë.

Mirëpo, këto masa prapë se prapë mund të hapin dyer për kufizime të reja si lëvizje të brendshme, të parat që prej aplikimit të udhëtimit pa pasaporta nga viti 1995.

Në të njëjtën kohë, ekziston pajtim i gjerë që shtetet nuk duhet të lejohen që të vendosin kontrollime kufitare ndaj vendeve anëtare të Shengenit, me vendime të njëanshme, ndërsa pritet të merret vesh nëse për një gjë të tillë do vendoset bashkërisht, apo nga Komisioni Evropian në Bruksel.

Ky debat bëhet në kohën e diskutimeve të gjera rreth asaj se si duhet të trajtohet imigracioni ilegal në Evropë.

Shtetet që gjenden në vijat kufitare në tokë dhe në det, si Italia e Malta, kanë bërë thirrje për më shumë përfshirje të BE-së, dhe një mekanizëm që do e trajtonte problemin e imigrantëve në shtete të tjera të bllokut.

Shtete të pjesës veriore të Evropës, siç janë Suedia dhe Gjermania, insistojnë që numri i të arriturve nga Afrika veriore, rreth 40 mijë më saktë, nuk paraqesin një krizë për shtete të mëdha të BE-se siç është Italia, ndërsa hedhin vëmendjen te vështirësitë që kanë vetë ato me imigrantët.

Negociatorët evropianë, thonë se ata e kanë ngadalësuar shtyrjen përpara të masave më të ashpra, duke krijuar hapësirë për debate në samitin e ardhshëm, me qëllim që të ulen tensionet.

“Pas disa javëve mjaft të tensionuara, kur sulmet ndaj Shengenit u shpeshtuan, tani, toni i diskutimit është me pak i tensionuar”, ka thënë një diplomat i përfshirë në këto bisedime.

“Ende ekziston ndjenja se Shengeni duhet të reformohet, mirëpo jo me urgjencë brenda pak javësh”.

Zyrtarët thonë se disa presione politike janë lehtësuar pas zgjedhjeve lokale italiane në maj, që kishte përfshirë retorikë të ashpër nga partia anti-imigrantëve, Liga e Veriut, si dhe zgjidhja e krizës politike në Danimarkë, krizë kjo që ishte shkaktuar nga partia e ekstremit të djathtë, Partia e Popullit.

Mirëpo ata paralajmërojnë se vala e vazhdueshme e imigrantëve nga veriu i Afrikës, mund të rikthejë tensionet që më herët kanë ekzistuar në pranverë, kur Italia e Franca i bënë thirrje komisionit për të reformuar marrëveshjen e Shengenit.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment