Euro po i rikthehet mbiçmimit ndaj lekut

Pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit u duk një qetësim i monedhës europiane, e cila gjatë fushatës pësoi turbullira të mëdha, duke u shtrenjtuar deri me 5 për qind.

Prej disa ditësh euro këmbehej mesatarisht me 141.5 lekë, por në tri ditët e fundit vërehet një rritje konstante, derisa dje Banka e Shqipërisë raportoi nivelin më të lartë të mundshëm të tetë viteve të fundit.

Euro në raport me lekun është këmbyer për 142.58 lekë nga 142.10 lekë që ishte tre ditëve më parë.

Në dhjetë ditët e fundit euro ka pësuar një rritje me më shumë se 1.5 lekë, ose 1 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë leku është zhvlerësuar me rreth 7 për qind.

Në këto kushte, individët që kanë këste kredie për t’i paguar në euro janë duke u përballur me vlera të larta.

Për ata që kanë marrë kredi të paktën 5 vjet më parë, sot po i paguajnë këstet me vlerë rreth 2500 lekë më të shtrenjtë.

Megjithatë, për Bankën e Shqipërisë situata nuk ka asnjë element që bën të jesh i shqetësuar, pasi çdo efekt do të kalojë shumë shpejt.

Euro po forcohet edhe kundrejt monedhave të tjera, përfshi dollarin amerikan. Në këto kushte, forcimi i euros i bën mallrat e importit të kenë çmime të larta, kurse qeveria rrit të ardhurat në doganë.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment