EULEX-i përvjel mëngët

Hetuesit e Misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit (EULEX) po vazhdojnë një hetim, siç e quajnë ata, “preliminar”, për të sjellë të vërtetën mbi raportin e Dick Martyt lidhur me trafikimin e organeve të robërve gjatë luftës në Kosovë.

Hetuesit e BE-së, pa ndihmën e vendorëve, kanë vazhduar hetimet në ato që konsiderohen pista të dyshimta për trafikim organesh, shkruan Zëri, por deri më tani nuk është njoftuar nëse ky hetim “preliminar” ka sjellë rezultate.

Ndryshe, fundvitin e kaluar raporti i publikuar nga senatori zviceran Dick Marty tronditi opinionin në Kosovë e Shqipëri. Gjashtë muaj pas daljes së këtij raporti, i cili hedh pretendime për trafik organesh nga një pjesë e drejtuesve të UÇK-së, duke përfshirë dhe kryeministrin Hashim Thaçi, përveç etiketimeve, nuk ka sjellë asgjë konkrete.

Prej kohës kur është publikuar raporti, prokurorë të EULEX-it kanë zhvilluar takime me Dick Martyn, por nuk bëhen të ditura detajet dhe përmbajtja e diskutimeve me të.

“Në raportin e Dick Martyt janë bërë akuza serioze dhe është e një rëndësie jetike që të gjendet e vërteta, si për interes të drejtësisë, ashtu dhe për interes të komunitetit shqiptar dhe atij serb”, thotë Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it.

Pavarësisht dilemave që janë paraqitur fillimisht për kapacitetet që i ka Misioni për sundim të ligjit për t’u marrë me hetime në këtë rast, në EULEX thonë se ata mund të kryejnë këtë detyrë pasi që kanë prokurorë ndërkombëtarë shumë të aftë, njësit të dëshmuar për mbrojte të dëshmitarëve, dhe më e rëndësishmja- “vendosmëri për të gjetur përgjigjet”.

Duke kujtuar që për momentin ka vetëm hetim preliminar të filluar nga EULEX-i, Krasniqi thotë se ai mund të kthehet në hetim zyrtar nëse identifikohen individët si dhe ka ”dyshime të arsyeshme” që një krim serioz është kryer.

Me gjithë përpjekjet e gazetës, ka qenë e pamundur të merret vesh se a janë duke u zhvilluar hetime edhe në Shqipëri.

E përjashtuar nga hetimet është edhe Prokuroria e Shtetit në Kosovë. Duke marrë parasysh natyrën e akuzave që janë bërë në raport, është konsideruar se prokuroria në Kosovë nuk i ka kapacitetet që të merret me hetime në këtë rast.

Madje Prokuroria e Shtetit, sipas zyrtarëve të saj, as që e di a kanë filluar hetimet dhe, edhe nëse kanë filluar, nuk ka informata për rrjedhën e tyre. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment