Enver Hoxhaj: Ndarja - nje ide qe ushqen dhunen

Thirrjet e Serbisë që të shqyrtojë ndarjen e Kosovës në mes të shteteve fqinje janë të papranueshme dhe rrezikojnë ushqimin e dhunës dhe destabilitetit, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Është një ide shumë e rrezikshme, që vjen pas 20 vjetësh, sepse kjo thjesht do të prodhojë dhunë, pasiguri dhe paqëndrueshmëri në tërë rajonin”, ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Hoxhaj.

Ai po merr pjesë në konferencën për Ballkanin Perëndimor në Sarajevë.

Zyrtarët serbë, përfshirë edhe ministrin e brendshëm, Ivica Daçiq dhe presidentin Boris Tadiq në javët e fundit kanë ringjallur idenë, që Serbia të marrë pjesët e banuara me serbë të Kosovës- ndërsa pjesa tjetër t’i jepet Shqipërisë.

“Ne nuk do t’i pranojmë kurrë këto lloj idesh, të cilat janë shumë, shumë të rrezikshme”, ka thënë Hoxhaj për të shtuar se “vizioni ynë është që të kemi një shtet multietnik dhe një shoqëri heterogjene siç e kemi pasur gjithmonë”.

Ai ka kërkuar nga Serbia që të rishqyrtojë qëndrimin e saj.

“Një nga gjestet më të mira për pajtim në të ardhmen mes shoqërive në Kosovë dhe Serbi është që të pranohet pavarësia jonë dhe të njihet realiteti në terren”, ka thënë Hoxhaj.

“Duket se Serbia nuk e ka të qartë se si t’i qaset Kosovës. Kufijtë në Ballkan janë të rregulluar”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka kujtuar se shkëmbimi i territoreve është kapitull i mbyllur dhe “kjo nuk do të pranohet as nga Kosova as nga rajoni dhe as nga komuniteti ndërkombëtar”.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment