Në të njëjtën kohë edhe eksperti Artan Gjergji është shprehur se rritja e rrogave dhe pensioneve është parashikuar në buxhetin fillestar të vitit 2011, vetëm se, sipas tij, qeveria duhet të ketë kujdes që rritja të jetë e moderuar. Sipas Gjergjit, financat publike janë në nivel të menaxhueshëm dhe e përballojnë rritjen e parashikuar të rrogave dhe pensioneve, veç duhet të jetë konservatore.
Nga ana tjetër, Financat po përgatisin draftin e Buxhetit të Shtetit të rishikuar dhe pritet që ky të jetë gati në fund të muajit qershor. Sipas financave, niveli i të ardhurave paraqitet jo i mirë dhe pritet që buxheti i rishikuar të rezultojë me shkurtime fondesh për disa sektorë, por nuk do të preket zëri i rritjes së pagave dhe pensioneve.
Dy ditë më parë, kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e Grupit Demokrat se qeveria po përgatit, në përputhje me programin e saj, paketën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, pasi kjo ka qenë shtylla më kryesore e qeverisjes së kësaj mazhorance, që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2005 dhe do të vazhdojë të mbetet drejtim themelor i punës së saj.
Sipas Kryeministrit, për këtë muaj aktiviteti më i rëndësishëm i qeverisë është rritja e rrogave dhe pensioneve, megjithëse do të bëhet duke kontrolluar me lupë të gjitha shpenzimet e tjera dhe nuk do të pranohet që të rritet qoftë dhe një qindarkë borxhi publik. Rritja e rrogave dhe pensioneve është bërë traditë nga qeveria demokratike vitet e fundit. Kjo parashikohet që në hartimin e buxhetit fillestar të vitit dhe niveli i rritjes përcaktohet në bazë të indeksit të inflacionit.
(www.mapo.al)
No comments:
Post a Comment