Efektet negative të krizës greke në ekonominë e Shqipërisë

Ekspertë të ekonomisë në Shqipëri shikojnë një sërë efektesh negative ,që mund të vijnë nga situata e krizës me të cilën po përballet aktualisht Greqia. Ulja e dërgesave për në vendlindje nga ana e emigrantëve shqiptarë, pritet të shoqërohet dhe me reduktimin e eksporteve, reduktimin e kredidhenies në sistemin bankar etj. Por disa prej treguesve negativë në Greqi, mund të shndërrohen në tregues pozitivë për Shqipërinë.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, Dr. Zef Preçi e mendon në tre plane ndikimin e krizës greke në ekonominë shqiptare. Së pari, efektet e krizës ekonomike botërore me efekt të përgjithshëm në BE duke përfshirë e Greqinë, së dyti, në raportet e drejtëpërdrejta greko – shqiptare dhe së fundi, në sjelljen e agjentëve brenda ekonomisë shqiptare.

“Sa i takon ndikimit të drejtëpërdrejtë të krizës së ekonomisë greke mbi atë shqiptare duhet të pranojmë pakësimin e të ardhurave që vijnë nga emigrantët shqiptarë që është evident; përkeqësimi i statusit të punëtorëve emigrantëve tashmë është evident, papunësia është shumë e lartë dhe në rritje; rritja e çmimeve në tregun grek ka bërë që të rriten çmimet e mallrave dhe në tregun shqiptar; nga ana tjetër një sërë ndërrmarjesh, të tipit “fasone”, që kanë aktivitet në zonën juglindore ose jugore të Shqipërisë kanë humbur tregun në Greqi dhe tashmë janë zhvendosur; por janë prezente dhe efekte psiokologjike”- thotë Dr. Preçi për DW-në.

Ilir Barjaba, ekspert ekonomie, shikon të paktën katër efekte negative të krizës ekonomike në Greqi që përcillen në ekonominë shqiptare. Greqia, sipas Barjabës është partneri i dytë tregëtar më i madh i Shqipërisë, ndaj dhe kjo pritet të ndikojë në volumin e eksporteve “made in Albania” për në territorin helen dhe e kundërta, veçanërisht në zonat kufitare. Së dyti, Greqia ka 1/3 e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Shqipëri, ndaj dhe kriza në atë vend t i rrudhë ato. Ilir Barjaba, kujton si faktor negativ dhe rënien e remitancave, dmth rënien e dërgesave që vijnë nga emigrantët shqiptarë që punojnë prej vitesh në territorin grek, në një kohë që numri i tyre është në qindramijë. Faktori i katërt që sjell kriza greke ka të bëjë me sistemin bankar, thotë Barjaba për DW-në, duke theksuar argumentin se 1/3 e bankave në Shqipëri, zotërohen ose përfaqësohen nga bankat mëmë që janë në Greqi. “Meqë kredidhënia në Greqi është në ulje kjo do të shoqërohet dhe me këtë tregues edhe në vendin tonë”.

Për Ilir Barjabën autoritetet shqiptare duhet ta “lexojnë me vëmendje” atë që ndodh në shtetin fqinj, siç thotë ai për DW-në, për të amortizuar efektet, ose dhe për të shfrytëzuar aspekte që mund ti shndërrojë nga negative në pozitive. “Psh., një i tillë është rikthimi në atdhe i emigrantëve shqiptarë që punojnë në Greqi. Duke qënë se ky rikthim do të jetë më shumë i përqëndruar në zonat kufitare, atëherë është e rëndësishme që qeveria në këto zona për emigranët të ofrojë lehtësira fiskale. Ata të nxiten për të krijuar biznese, mbase duke paguar gjysmën e taksave dhe detyrimeve të tjera tatimore. Kjo për qëllim për t’i ingranuar për të hapur biznese dhe për të kontribuar në ekonominë vendase. Në këtë mënyrë nëse shteti i ndihmon ata të ndërtojnë biznese, atëherë ata jo vetëm që nuk bëhen barrë për shtetin nëpërmjet skemave sociale, por ata ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe të biznesit”.

Dr. Zef Preçi përmend një tjetër aspekt që shndërrohet ne efekt pozitiv. Sipas tij ka rënë deri në nivele modeste numri i punëtorëve sezonalë nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë që angazhohen kryesisht në muajt e verës në tregun e punës në Greqi. Kjo e detyron këtë fuqi punëtore që të mos shpërngulet por të qëndrojë në vendlindje, duke kontribuar në punimin e tokës, apo në gjallërimin sektorit prodhues vendas. “Gjithashtu dhe punëtorë të kualifikuar duke humbur vendet e punës në Greqi do të kthehen në Shqipëri si një kapital shumë i çmuar duke përmirësuar cilësinë e produktit dhe të shërbimeve, kryesisht në hoteleri, restorante etj., në kushtet e terrenit shqiptar”.

Sipas Ilir Barjabës autoritetet në Shqipëri duhet të analizojnë dhe faktorët që e kanë sjellë fqinjin e tyre në këto momenta të vështira, duke bërë analogjinë me fillimin e viteve ‘80 të shekullit të kaluar dhe në vijim kur qeveria greke u fokusua më shumë në infrastruktuën civile. Këtë Barjaba e shikon si një ngjashmëri me modelin që po ndiqet në Shqipëri në vitet e fundit. “Greqia i arriti synimet duke marrë huamarrje nga institucionet ndërkombëtare dhe nga bankat private. Por këto fonde shërbyen në pjesën më të madhe për ndërtimin e infrastrukturës, por duke lënë pas dore aspekte të tjera të ekonomisë. Pra, nuk ndikuan për një ekonomi të shëndetshme. Mbivendosja e investimeve në infrastrukturën civile në Shqipëri është një rast i ngjashëm, mendoj, sepse nuk është e drejtë që të lihen pasdore degë të tjera të ekonomisë, sidomos në drejtim të zonave industriale”, thotë Barjaba për DW-në.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment