Duka-Kuzhe, “debati” nisi që në Sarajevë

Nuk ka pritur që të zbriste në Tiranë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për “t’i bërë autopsinë” humbjes së të martës në Zenica.Njëshi i FSHF-së i ka kërkuar llogari trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, që në hollin e sallës së pritjes në aeroportin e Sarajevës për katastrofën kuqezi, “e gatuar” më së shumti në harkun e 45 minutave të dyta të atij takimi, që për hir të së vërtetës mori një rrjedhë krejt tjetër nga ajo që gjithkush në Shqipëri, por edhe ata që ndodheshin pranë ekipit, besonin pas vërshëllimës së fundit të pjesës së parë.
Takimi – Ende pa konsumuar një shishe ujë, Duka “nuk ka duruar” duke u ulur në një cep të sallës së pritjes së aeroportit, së bashku me trajnerin Kuzhe dhe me menaxherin e njëkohësisht përkthyesin e Kombëtares, Denis Bastari. Takimi zgjoi kureshtjen e të gjithëve në atë sallë, gazetarë, lojtarë të ekipit, por edhe personalitete të futbollit të ndodhur së bashku me skuadrën në këtë transfertë, kjo për faktin që menjëherë pas ndeshjes fytyra e presidentit të Federatës nuk është “çliruar” për asnjë moment. Madje, edhe debati me teknikun të jepte përshtypjen se Duka po i kërkonte llogari për atë humbje mjaft të dyshimtë për nga mënyra se si erdhi, ndërsa ky i fundit me plot gjeste po mundohej t’i shpjegonte gjithçka kishte ndodhur. Kujtojmë se në konferencën për shtyp vetë Kuzhe pranoi se kishte gabuar në zëvendësimet e bëra, duke mbajtur një lloj përgjegjësie mbi shpatulla, por, gjithsesi, nuk la pa vlerësuar maksimalisht edhe lojën e boshnjakëve, një mënyrë kjo edhe për të justifikuar humbjen e kuqezinjve (bëj kundërshtarin më të fortë, që të thuash se kaq i kishim mundësitë).
Konsultimet – Por, takimi prej më shumë se 1 ore me Dukën nuk do të kishte në qendër vetëm teknikun dhe presidentin. Në lojë janë futur edhe disa lojtarë, nga të cilët janë kërkuar shpjegime për mënyrën e lojës, por edhe për atë çka pritet në një të ardhme të afërt. Kështu, në fillim është thirrur pranë dyshes Duka-Kuzhe, mesfushori i majtë i kuqezinjve, Ansi Agolli, si dhe qendërmbrojtësi shkodran, Admir Teli. Por, nëse për të parin mund të mendohet arsyeja e ballafaqimit për shkak të lojës jo shumë efektive të këtij të fundit në ndeshjen ndaj Bosnjës, për të dytin (Telin) nuk dihen arsyet e kërkesës për ballafaqim ose konsultim. Pas tyre u thirr mbrojtësi i djathtë, Armend Dallku, të cilit, nga sa është mësuar, i është kërkuar më shumë se ku ndihet më mirë ky lojtar që të luajë, në qendër të mbrojtjes (në ndeshjen e parë me Bosnjën në Tiranë luajti si qendërmbrojtës së bashku me Canën) apo në të djathtë. Në fund iu kërkua një mendim edhe Ervin Skelës. Skela ka mbetur sërish pa skuadër pas rënies nga kategoria të Arka Gdynia (Poloni) dhe gjithkush dëshiron të dijë nëse lojtari do të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares apo jo. Të paktën jo zyrtarisht, kjo është kërkuar nga Skela.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment