A duhet t’ia ribesojmë paret tona Berishës?

Më në fund sërish paret e shqiptarëve janë në dorë të Sali Berishës. Guvernatori i Bankës Qendrore, Adrian Fullani, në përpjekje për të rimarrë një mandat të dytë në krye të Bankës Qendrore, ka autorizuar kryeministrin Sali Berisha që përmes një vendimi qeverie të prekë kursimet e qytetarëve shqiptarë për të financuar deficitin e brendshëm të qeverisë. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë mirë këtë, do të thotë që shpenzimet marramendëse të qeverisë, të cilat janë shtuar në mënyrë të papërgjegjshme duke e shndërruar buxhetin e shtetit në piramidë, të kompensohen duke prekur depozitat e qytetarëve shqiptarë, gjë që do çojë në zhvlerësimin maksimal të lekut dhe ndoshta në një situatë të papërgjegjshme në stabilitetin bankar të Shqipërisë.

Ajo që shihet qartë është se Shqipërisë i kanë shteruar gjithë burimet financiare. Deficiti i brendshëm e ka kaluar masën 61 për qind të prodhimit bruto kombëtar sipas qeverisë, por realisht është shumë më tepër. Berisha është përpjekur ta mbulojë krizën njësoj si rrethi i bizneseve të tij që marrin kredi për të shlyer kreditë, dhe sot është në një situatë që po shet hidrocentralet e kohës së komunizmit, që rastësisht kanë pasur emrat Marks, Engels, Lenin dhe Stalin, për të shtyrë dhe ca muaj shpërthimin e krizës financiare.

Tani çështja shtrohet se ekonomia shqiptare nuk po administrohet nga njerëz të përgjegjshëm, të cilët kanë parasysh hallet e Shqipërisë, por nga mediokër dhe të paaftë, që maksimalisht kanë objektiv të rregullojnë hallet e tyre. Kështu Guvernatori i Bankës Qendrore, i cili është një personazh anekdotik, në biografinë e të cilit mund të përshkruhen vetëm barsoleta nga drekat dhe darkat pa fund të tij, dhe kurrë ndonjë ide për bankat apo sistemin bankar, nuk ka në këto moment objektiv shpëtimin e Shqipërisë nga kriza bankare apo disiplinimin e politikës së papërgjegjshme të qeverisë, por është i investuar që të plotësojë çdo tekë të Sali Berishës, duke i besuar atij dhe të drejtën të fusë duart në kursimet tona nëpër banka. Për ta mbajtur akoma më shumë nën presion, një nga çështjet më të nxehta të drejtësisë shqiptare, gjykimin e Ilir Metës pas shfaqjes publike në një video me pazare për miliona euro, ia kanë besuar gruas së tij në Gjykatë të Lartë me qëllim që të bëjë kujdes para se të japë vendimin. Në këtë mënyrë i gjithë ai që quhet sistem bankar apo sistem i drejtësisë në Shqipëri, të cilët duhet të jenë tërësisht të pavarur dhe me autoritet në raport me qeverinë, janë reduktuar në nevojën e rimarrjes së mandatit prej Adrian Fullanit, duke rrezikuar të hedhë në erë edhe kursimet e shqiptarëve, edhe shpresat e shqiptarëve për drejtësi.

Po kaq banale duket situata dhe me Kolegjin Zgjedhor. Dy çështjet thelbësore që do të gjykonte ky Kolegj lidhur me ankesën e opozitës, për të cilën ka një shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, kalojnë në duar të dy gjyqtarëve, nga ata të cilët pushteti i ka kapur me ndere të vogla me emërime familjarësh në poste kyçe të pamerituara, si favore politike. Pra, në kohën që Shqipëria rrezikon të digjet nga ky gjykim i papërgjegjshëm, halli i Tom Ndrecës është puna e djalit dhe halli i gjyqtares Haveri është licenca e noterit e burrit. Në këto kushte ne pamë një vendim skandaloz të Kolegjit Zgjedhor, i cili për nga natyra është gjykatë speciale, dhe jo pjesë e hierarkisë së gjykatave shqiptare. Si gjykatë speciale ai e bazon gjykimin e tij në një ligj të vetëm që është Kodi Elektoral. Por njësoj si Sali Berisha, që kur nuk i doli fitues Lulëzim Basha në kutitë e garës për kryetar bashkie, mblodhi fleta votimi rrugës dhe ia çoi Ristanit ta shpallte kryetar, edhe Kolegji Zgjedhor duke mos gjetur dot bazë ligjore në Kodin Elektoral, shkon e gjen arsyetimin e tij skandaloz në Kodin Administrativ, a thua se janë gjyqtarë që shqyrtojnë ankesa administrative.

Akoma më skandaloze është historia e KQZ. Ne e kemi bërë KQZ organ kushtetues të pavarur, me qëllim që të ketë garanci për hedhjen e të dhënave dhe materialet e votimit. KQZ shkon e i jep tenderin e përgatitjes së fletëve të votimit kompanisë së krijuar në zyrat e PD-së për fushata elektorale që nga viti 2003. Kjo kompani, ose më mirë të themi një karagjoz me dhjetë klasë shkollë që drejton këtë kompani, ka pasur në dorë fletët e votimit të shqiptarëve dhe hedhjen e të dhënave në KQZ. Halli i tij është të bëjë miliona dhe t’i ndajë me sekserët e tij në PD, kurse halli i shqiptarëve është të kenë një KQZ si institucion kushtetues, të pavarur dhe profesional. Kur fletët e votimit i shtyp shtabi elektoral i Bashës, dhe po ai hedh të dhënat në faqen e KQZ, ç’kuptim ka që KQZ të quhet institucion dhe jo zyrë e organizimit e PD-së.

E parë pak më gjerë, kjo histori dëshmon qartë se fati i shqiptarëve nuk është në dorë të shtetit ligjor, nuk është në dorë të institucioneve të tij, por në dorë të disa personave që objektivat e jetës së tyre nuk kanë asnjë lidhje me aspiratat e shqiptarëve për shtet ligjor dhe institucione të pavarura. Fati i zgjedhjeve shqiptare, fati i drejtësisë shqiptare dhe fati i pareve të qytetarëve shqiptarë, është në dorë të një njeriu, të Sali Berishës. Gjithë ata që drejtojnë gjoja institucione të pavarura apo sistemin e drejtësisë, siç e shikoni janë të lidhur me të, me interesa të vogla meskine, dhe nuk kanë as integritetin e duhur për të qenë garant, qoftë dhe formalisht, të këtyre institucioneve. Aq shumë janë dorëzuar sa kanë vënë në dispozicion të Sali Berishës jo vetëm vjedhjen elektorale, jo vetëm mosdënimin e ministrave dhe deputetëve të tij, jo vetëm fletë votimi, kuti votimi, kode kutish dhe të dhëna falso për KQZ, por së fundmi dhe paret tona. Kjo është hera e dytë që Berisha ka në dorë paret tona. Në vitin 1996 shqiptarët i futën paret në piramidat e lejuara prej Berishës pasi nuk kish banka. Në vitin 2011 Berisha po fut duart në bankat ku kanë depozituar paret shqiptarët. Shpresoj të mos kemi fatin e vitit 1996, por njeriu që ka kthyer në piramidë buxhetin e shtetit, njeriu që ka kthyer në piramidë të pushtetit personal gjithë institucionet, me po kaq qetësi mund të kthejë dhe bankat në piramida.

(Mero Baze/gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment