Çelet sezoni turistik në zonën e Antigonesë antike

Komuna e Antigones në Gjirokastër, një prej zonave me pasuri të veçanta historike, arkeologjike dhe natyrore në një organizim të veçantë ka çelur sezonin turistik për këtë vit. Aktualisht në këtë zonë përfshihen Parku Arkeologjik i Antigonesë antike, 10 objekte “Monumente Kulture”, monumente të natyrës etj. Pjesë e këtij aktiviteti, të zhvilluar në fshatin “Asim Zeneli”, ka qenë Panairi i Artizanatit, ku kanë marrë pjesë mjeshtër të punimeve tradicionale të zonës. Ata kanë prezantuar për vizitorët punime të realizuara në gurgdhendje, dru të gdhendur, tekstile tradicionale etj. Gjithashtu në këtë aktivitet është çelur edhe Panairi i Kulinarisë, ku janë prezantuar gatime tradicionale të zonës së Antigonesë. Sipas kryetari të komunës, Ylli Muho, ky aktivitet zhvillohet për të dytin vit radhazi dhe synon të kthehet në një traditë, duke nxitur edhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Tashmë, falë edhe ndërhyrjeve rikonstruktuese në infrastrukturën rrugore Antigoneja, po shndërrohet në një prej pikave më të vizitueshme nga turistët vendës dhe të huaj që udhëtojnë në Jugun e vendit.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment