Çekia ia kujton Serbisë kriteret e Kopenhagës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të enjten homologun e Republikës Çeke, Karel Schwarzenberg, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë. Schwarzenberg është pritur edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Pas takimit me ministrin Hoxhaj, ky i fundit ka vlerësuar lartë kontributin e madh e të kamotshëm të ministrit Schwarzenberg për Kosovën, duke e cilësuar atë një mik të madh të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Schwarzenberg, ka thënë se gjatë takimit me ministrin kosovar është diskutuar për mënyrat e afrimit të Kosovës me BE-në dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve. Ai ka thënë se është biseduar edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, duke shprehur shpresën se në të ardhmen Kosova do të zërë vendin e saj në Bruksel. “Ne mbështesim integrimin e Kosovës dhe të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe këto shtete duhet të kenë prioritet në politikat e tyre anëtarësimin në BE, me meritat e tyre”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë.

Lidhur me kushtëzimin eventual të anëtarësimit të Serbisë në BE me njohjen e Kosovës, Schwarzenberg ka thënë se nuk mendon se duhet të vendosen kushte për palët. Por, siç tha ai, është e rëndësishme që Serbia të sillet si fqinj miqësor dhe të ketë hapa praktik mes dy shteteve. Sipas tij, nëse Serbia do të anëtarësohet në BE, ajo pikë se pari duhet të zgjidh problemet me fqinjët e saj në përputhje me kriteret e Kopenhagës, duke e përjashtuar mundësinë që Serbia më pas do të mund të pengoj vendet tjera që të bëhen anëtare të BE-së, për shkak të problemeve bilaterale.

Hoxhaj e ka falënderuar shefin e diplomacisë çeke për njohjen e Kosovës nga ky shtet, për mbështetjen e fuqishme përmes pranisë ushtarake në kuadër të KFOR-it dhe për mbështetjen financiare të projekteve të ndryshme në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun çek është diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë bilateral, i cili do të forcohet edhe më tej mes dy shteteve. “Ky bashkëpunim mes institucioneve të shërbejë për forcimin e lidhjeve mes popujve tanë, bashkëpunimin mes shoqërive, qytetarëve, njerëzve të medieve, kulturës, universiteteve”.

Nga ana e saj, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit me ministrin çek, vlerësoi kontributin e Republikës së Çekisë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës në vitet e kaluara. Ajo tha se përkrahja e Çekisë dhe e vendeve të tjera të Evropës është e nevojshme për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare. Presidentja tha po ashtu se prania e BE-së nuk mund të jetë e paanshme ndaj statusit, sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e gjithë puna bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment