Brukseli, presion Berishës për “Venecian”

Kur kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, bëri propozimin që për situatën e krijuar pas numërimit të votave të hedhura gabim të merrej mendimi i Komisionit të Venecias, një trupe këshilluese juridike pranë Këshillit të Europës, shumëkush mendoi se ky do ishte një rast i mirë për të shpëtuar nga ngërçi. Por menjëherë ministri i Jashtëm u shpreh se nuk është nevoja që të merret mendimi i tyre. Deklarata e tij u pasua nga të tjera qëndrime të mazhorancës kundër marrjes së mendimit nga kjo trupë.

Burime të gazetës Tema bëjnë me dije se këto ditë është shtuar ndjeshëm presioni ndaj kryeministrit Sali Berisha për të marrë një opinion nga Komisioni i Venecias sa i përket çështjes së votave të hedhura gabim. Zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian i kanë telefonuar kryeministrit duke i kërkuar atij që të kërkojë një opinion nga Komisioni. Por ky i fundit ka refuzuar duke thënë se kërkon t’u japë një shans institucioneve demokratike në vend.

Megjithatë, refuzimi i prerë që i bëri mazhoranca këtij propozimi të bërë nga perëndimi që në fillim të herë ishte një sinjal se ajo kërkonte t’i zgjidhte gjërat sipas mënyrës së vet, siç ka bërë gjithmonë me gjyqësorin në vend.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment