Britania: Vështirë të kundërshtohet numërimi i çdo vote

Ministri britanik për Europën, David Lidington, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se s’mund të kundërshtohet parimi i numërimit të çdo vote. Pas takimeve që pati dje në Tiranën zyrtare me krerët e shtetit dhe të politikës, zyrtari i lartë britanik që vizitoi Shqipërinë tha se duhet të zbatohen qartë rregullat e lojës.”Lidington theksoi në të gjitha takimet se për komunitetin ndërkombëtar zgjedhjet lokale ishin një test i rëndësishëm për angazhimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në lidhje me çështjen e votave në kutitë e gabuara, ministri vuri në dukje se nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të gjykojë. Ai sugjeroi se ndërsa është e vështirë të kundërshtohet parimi se çdo votë duhet numëruar, është gjithashtu e rëndësishme vazhdimësia në zbatimin e rregullave, si pjesë e një procesi të ndershëm. Mbretëria e Bashkuar do të presë raportin final të ODIHR-it për zgjedhjet lokale”, thuhet në njoftim zyrtar të Ambasadës Britanike. Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet partnere si Prokuroria e Përgjithshme. “Është e rëndësishme për Shqipërinë që ligji të zbatohet drejt, fort dhe pavarësisht nga pozicioni apo përkatësia e individëve; kjo çështje është gjithashtu e nevojshme për të përparuar drejt BE-se”, thuhet në njoftim. Në lidhje me situatën aktuale politike, ai kërkoi praninë e opozitës në Kuvend, si mjeti kryesor për të sfiduar qeverinë. “Miqtë e Shqipërisë e kanë të vështirë të mbrojnë kauzën e Shqipërisë në Bruksel për aq kohë sa qeveria dhe opozita të marrin përgjegjësitë dhe të punojnë së bashku për ta çuar Shqipërinë përpara. Nuk i takon Mbretërisë së Bashkuar të diktojë si, por duhet njohje reciproke e roleve të qeverisë dhe opozitës. Çdo qeveri duhet të njohë dhe respektojë të drejtën e një opozite rigoroze për t’i kërkuar llogari qeverisë për performancën e saj. Është gjithashtu e rëndësishme që opozita përdor Parlamentin si mjeti parësor për të sfiduar qeverinë”, tha Lidington. Më tej, ministri britanik u pyet nga media në konferencën e përbashkët me ministrin shqiptar Haxhinasto.

Sa e shqetësuar është qeveria britanike dhe cili është qëndrimi i saj për situatën aktuale pas zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri?
Jemi shumë të shqetësuar, por detajet lidhur me procesin zgjedhor janë një çështje që u takon vetë shqiptarëve, institucioneve dhe gjykatave të tyre. Në këtë drejtim, udhërrëfyes për ne do të jetë raporti i ODIHR-it dhe vlerësimi i tyre për ndershmërinë e procesit zgjedhor. Mendoj se më e rëndësishme se rezultati i këtij procesi është që partitë politike në Shqipëri të gjejnë mënyrën që të veprojnë siç vepron një qeveri dhe një opozitë kushtetuese në një vend demokratik në Europë. Ndaj mendoj se ka hapësirë për debate, argumente dhe diferenca, por të gjitha këto duhet të bëhen në një kornizë politike, e cila të ketë mirëkuptimin e përbashkët të palëve. Kjo ka të bëjë me vlerat demokratike europiane. Ndaj për Shqipërinë është e nevojshme që të ecë përpara drejt rrugëtimit të saj për në BE.
Çfarë mendimi keni për kundërshtimin e opozitës ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe a shihni ndonjë mundësi kompromisi për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme?
Për mua është shumë e vështirë që të jap mendime edhe për vetë debatet e brendshme politike në Britani, e jo më të flas për këtë gjë në Shqipëri. Natyrisht, përshëndes faktin që Kolegji Zgjedhor ka zbardhur arsyetimin e tij lidhur me vendimin përkatës. Unë nuk i kam lexuar këto shpjegime të Kolegjit dhe nuk do të bëj komente për to; u takon liderëve shqiptarë që ta bëjnë një gjë të tillë. Por dua të vë në dukje se pas shpalljes së rezultatit, rëndësi ka që qeveria shqiptare të pranojë se ka një hapësirë legjitime për opozitën që t`i kërkojë llogari qeverisë nëpërmjet institucioneve parlamentare; ndërsa opozita shqiptare të pranojë përgjegjësinë e saj për të sfiduar qeverinë veçse në Parlament dhe jo në rrugë.

Topi: Britania, mbështetje për integrimin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ministrin e Shtetit të Britanisë së Madhe, David Lidington, duke theksuar mbështetjen e këtij vendi për integrimin e Shqipërisë. Kryetari i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen konstante të Britanisë së Madhe në konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura, si dhe për përmbushjen e ambicieve integruese euroatlantike të Shqipërisë, thuhet në njoftimin zyrtar. “Si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të ngushtë strategjikë, Britania e Madhe dhe përfaqësuesit e saj zyrtarë kanë kontribuar vazhdimisht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në përparimin e saj drejt familjes së madhe europiane”, tha Presidenti në këtë takim. Ministri Lidington vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për qëndrueshmërinë afatgjatë rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pa cenuar e duke respektuar integritetin territorial të çdo vendi ballkanik.

Haxhinasto: Të flasin institucionet

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha dje në konferencën për shtyp me ministrin britanik, se tashmë duhet të flasin vetëm institucionet për situatën politike të pas zgjedhjeve. “Tani është koha që të flasin institucionet, është koha që të flasin gjykatat, dhe kur flasin gjykatat, partitë politike duhet të heshtin. Përsa u takon zgjedhjeve të parakohshme, besoj se kjo maxhorancë është solide, ashtu siç u tregua edhe nga vota e përgjithshme kombëtare e këtyre zgjedhjeve”, tha Haxhinasto.



(ERALD KAPRI/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment