Braçe: Të kthehemi në parlament

Erion Braçe, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, ka bërë apel për rikthimin e opozitës në parlament. Zoti Braçe e quan “gabim, i përsëritur shpesh” në aspektin politik por edhe në atë profesional, mos mbledhjen e grupit parlamentar socialist, raportoi të enjten e përditshmja Gazeta Shqiptare.

Deputeti socialist e cilëson seancën e sotme të parlamentit të rëndësishme dhe që do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit por edhe në ekonomitë familjare.
Zoti Brace ka thënë se “vendimmarrja e Kuvendit do të shënojë një stad të ri në kufizimin gjithnjë e më të madh të pronës publike dhe shërbimit publik në këtë vend si dhe do të ketë interes kombëtar.”

"Angazhimet kur lidhen me interesa kombëtare, seriozitetin e marrin nga institucioni. Kur këto mungojnë nuk tremb as laraskat", ka thënë ai, duke shtuar se “në Kuvend duhet të jesh për të komunikuar me njerëzit, me ata që vuajnë pasojat e shpronësimit politik të Sali Berishës, me ata po prej tyre, kursimet e të cilëve shpërdorohen për shpezat me të cilat Sali Berisha manipulon votat apo për qejfet financiare të Guvernatorit të Sali Berishës”.

“Më besoni, opozita nuk mund të shuhet në Kuvend. PS-ja nuk mund ta lerë opozitën në gojën e renegatëve që vetëm për opozitë nuk janë në atë Kuvend. Për biznesin e tyre politik dhe ekonomik pa diskutim. Ndaj, ne duhet të luftojmë në Kuvend.”, thotë zoti Brace. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment