Big Basta, pas 10 javëve në “DWS”, shkruan këngë të re me përshtypjet e garës

Kanë qenë dhjetë javë plot emocion për Gerald Xharin (Big Basta), aq sa e kanë frymëzuar për të kompozuar një këngë të re, që do të publikohet në tregun muzikor pas tri javësh. Artisti i njohur i muzikës hip-hop ka lënë të enjten në mbrëmje garën në “Vizion Plus”, pas një “dance off”-i me këngëtaren Çiljeta Xhilaga. U duk që ishte një moment i vështirë për të dy artistët, për faktin se ata shpesh kanë bashkëpunuar duke realizuar dhe klipe, por në këtë rast fati do të ishte në favor të vetëm njërit prej tyre. Gjithsesi, pas vendimit të kryetarit të jurisë, Ilir Shaqiri, se gara e tij mbaronte këtu, Big Basta nuk ka shprehur asnjë shenjë mërzie që po i jepte fund aventurës së kërcimit në “Dancing with the stars”, përveçse ka shprehur me fjalë të zgjedhura kënaqësinë e një maratone emocionuese e të bukur nga java në javë. E ndërkohë që personazhet e tjerë VIP ende në garë, si: Enver Petrovci, Shpat Kasapi, Agnesa Vuthaj dhe Çiljeta Xhilaga do të vazhdojnë sfidën për çmimin e madh, Bigu i është rikthyer tashmë me kohë të plotë punës në studion e tij muzikore, ndërsa përgatitet të dalë në treg këtë verë me shumë këngë të reja dhe bashkëpunime. Kënga më e re që ka përfunduar tashmë është “single” për veten, krijim që e ka realizuar gjatë javëve plot tension, prova dhe miqësi me rivalët e tjerë, artistë të “Dancing with the stars”. I frymëzuar nga ditë e veçanta dhe përjetimet e tij gjatë garës, ai ka realizuar këtë këngë në stilin e tij që pritet të jetë “Hit” këtë verë. Big Basta ishte i pari reper që hyri në një sfidë kërcimi, ku personazhe të njohur të artit dhe televizionit lakmojnë çmimin e madh. Për shkak të intensitetit të provave, stërvitjes dhe dietës, ai arriti të humbë shumë kilogramë nga pesha e tij para dhe gjatë spektaklit. Pjesëmarrja e tij në një garë të tillë suprizoi më shumë fansat, që ishin mësuar ta shihnin Bigun vetëm me veshje të gjera në stilin rap. Në pistën e këtij “show”, publiku u njoh me një Big Basta ndryshe, të veshur me kostum elegant, ndërsa nga javë në javë me partneren balerinë Olta Ahmetaj, arriti të përvetësojë teknikat e baletit nga ai klasik deri tek ai modern. Ajo që bëri përshtypje në performancat, batutat e shkëmbyera me jurinë dhe Ermal Mamaqin në “Gold Room”, ishte klasi i tij dhe qetësia në komunikim, rasti i parë ky për të njohur shpirtin prej artisti të vërtetë të Big Bastës. Gerald Xhari është një nga këngëtarët më të njohur hip-hop, si dhe një nga krijuesit e muzikës dhe teksteve për shumë këngëtarë aktualisht në Shqipëri e Kosovë.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment