Besa Kokëdhima, këngë të re me kompozitorin e T.A.T.U-ve

Ajo e adhuron muzikën e tij, ndërsa ai ka pohuar se i ka bërë shumë përshtypje dhe i ka pëlqyer shumë zëri i saj. Fjala është për këngëtaren e njohur Besa Kokëdhima, e cila së shpejti do të realizojë një këngë të veçantë në bashkëpunim me kompozitorin e grupit T.A.T.U, Sergey Galoyan. Ka qenë një kërkesë e Besës drejtuar këtij kompozitori për të realizuar një këngë së bashku, me të cilin artistja është vënë në kontakt disa muaj më parë. Tashmë, kompozitori ka përfunduar muzikën, në një stil shumë interesant dhe origjinal siç jemi mësuar të dëgjojmë nga ky kompozitor. Nuk dihet nëse kënga do të realizohet klip por, me sa duket, këngëtarja e ka lënë për një kohë më të vonë të mendojë idenë e klipit. Për momentin, Besa po punon për klipin e saj më të ri, pas atij me titull “Kalorësi i natës”. Puna për realizimin e tij ka filluar dhe pritet që klipi të jetë gati pas tri javësh. Xhirimet pritet të nisin këto ditë në Kosovë nga “Entermedia” dhe kësaj here këngëtarja do të sjellë diçka shumë të veçantë si në stilin e saj si këngëtare, ashtu dhe në teknikë xhirimi. Pasi të publikohet ky klip, Besa mund të angazhohet për këngën e re me kompozitorin 30-vjeçar rus të T.A.T.U-ve, i cili ka shkruar shumë këngë të njohura për tri albumet e vajzave të famshme, midis të cilave dhe këngën hit “All The Things She Said”, këngë që dy vajzat e T.A.T.U e lançuan në vitin 2002.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment