Besa fituese e kupes se Kosoves.

Prishtina ka mbetur duarthatë. Pasi i humbën pothuajse të gjitha gjasat për ta fituar titullin e kampionit, bardhekaltrit të dielën mbetën edhe pa Kupë, pasi në finalen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Prishtinë. humbën nga Besa me rezultat 2:1.
Dominimi i lehtë në fushë nuk i ndihmoi djelmoshat e Ramiz Krasniqit ta ngrenë lart trofeun e çmueshëm. Në anën tjetër, ekipi bardhekuq me mençuri u mbrojt dhe e përdori armën e fortë – kundërsulmin, e cila ishte vrasëse për prishtinasit.

Prishtinasit kanë rrezikuar me Saliagiqin e Llumnicën më seriozisht në pjesën e parë, por ata e panë veten në disavantazh në minutën e 31-të, kur Krenar Vokshi e kalon bukur Ilir Berishën dhe me mjeshtri e mposhti portierin Neziri.

Presioni i ‘vendësve’ ndaj kundërshtarit është shtuar në pjesën e dytë, me inkuadrimin në lojë të lojtarit të ri, Mentor Mazrekaj. Mirëpo, pejanët e kanë lënë gojëhapur sërish Prishtinën, në minutën e 60-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, zëvendësuesi Bernarn Berisha e gjen bukur Vokshin, i cili e shënoi golin e dytë personal dhe të dytin për ekipin e tij.

“Kjo ishte ndeshja jonë kryesore. Pasi i patëm humbur gjasat për titull, ishim koncentruar plotësisht në këtë trofe, duke i përqendruar të gjitha forcat këtu. Mendoj se fituam me meritë. I falënderoj bashkëlojtarët që më ndihmuan t’i shënoj dy gola në këtë lojë”, tha Vokshi pas lojës.

Prishtinasit nuk u dorëzuan dhe vazhduan të sulmojnë. Ata e gjetën golin vonë, në minutën e 79-të, me anë të zëvendësuesit Faton Zejnullahu, i cili mori një top nga Azem Ahmeti. Deri në fund, ata u munduan me të gjitha forcat për ta barazuar rezultatin, por më kot.

Besa diti t’i shfrytëzojë rastet e krijuara, e Prishtina jo. Në fund të ndeshjes, tifozët prishtinas, ‘Plisat’, i kanë kontestuar lojtarët e tyre, duke brohoritur, ‘marre, marre’, ndërsa njëkohësisht e kanë duartrokitur dhe përshëndetur ekipin pejan për lojën që bëri dhe për Kupën që e fitoi.

“E kemi ditur se do ta kemi vështirë. Prishtina dominoi në pjesën e parë, por edhe në atë të dytë. Por, ne ishim më të rrezikshëm dhe i shfrytëzuam mjaft mirë rastet. Mendoj se fituam me meritë”, ka thënë trajneri i Besës, Valdet Shoshi.

I zhgënjyer dhe i mllefosur në lojtarët e tij gjatë tërë ndeshjes, ka qenë trajneri prishtinas, Ramiz Krasniqi. Sidoqoftë, ai ia uroi fitoren skuadrës kundërshtare. “Ne dominuam në të dyja pjesët, por na kushtuan gabimet. Kishim presion dhe ndikoi lodhja psikologjike. Besës ia uroj fitoren”, tha Krasniqi.

Kupën, kapitenit Haxhi Zeka ia dorëzoi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri. Ndërsa, i pranishëm në stadium ishte edhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i cili bëri ndarjen e medaljeve.

Kështu, Prishtina duket se edhe këtë sezon do ta kalojë duarthatë. Ndërsa, Besa u nxor mjaft mirë dhe mund ta konsiderojë sezonin e suksesshëm, pasi e fitoi Kupën e Kosovës.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment