Berisha takon ministrin britanik David Lidington

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, ministrin britanik për Evropën z. David Lidington.

Ministri Lidington falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i përcolli atij përshëndetjet e Kryeministrit Cameron. Ai tha se Mbretëria e Bashkuar vlerëson angazhimin thelbësor të Shqipërisë në Afganistan dhe gatishmërinë e saj për të mbështetur operacionet e NATO-s në Libi dhe Tunizi, si tregues të qartë të angazhimit të Shqipërisë në NATO dhe shprehu gadishmërinë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve.

Ministri Lidington e siguroi Kryeministrin se Britania është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të veçantë, e antarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Europian e bëjnë procesin e antarësimit të besueshëm dhe solid.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Lidington, e falenderoi ministrin britanik për të gjithë mbështetjen që Britania i ka dhënë Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, në mënyrë të veçantë në antarsimin në NATO dhe procesin e integrimit në BE.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment