Berisha: Pavarësia e Shqipërisë, vepër mbarëkombëtare.

Kryeministri Sali Berisha konfirmoi të hënën ngritjen e një komisioni shtetëror për kremtimin e 100-vjetorit të shtetit të Shqipërisë, duke theksuar se në të do të marrin pjesë përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të shquar nga Kosova, nga shqiptarët e Maqedonisë, Mali i Zi, diaspora.


Kryeministri theksoi se pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarëkombëtare dhe kjo, theksoi ai, është një e vërtetë botërisht e njohur. “Kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë e Shqipërisë u bënë në Kosovë, Dedë Gj Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme për pavarësi në të gjitha trevat shqiptare, një pjesë e të cilave sot janë në Malin e Zi. Po kështu, trevat shqiptare që ndodhen sot në Maqedoni kanë kontributin e tyre të madh. Diaspora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në pavarësi”, tha zoti Berisha.

Kryeministri nënvizoi se 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë do të shndërrohet në ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012 dhe do të pritet me dinjitetin më të madh. “Do të shqyrtohet dhe trajtohet në të gjitha rrafshet, duhet të shkruhet në muret e epokës, nderimi që i bëhet kësaj ngjarje në 100-vjetorin e saj, nderimi që i bëhet Shqipërisë 100 vjeçare, shtetit 100-vjeçar shqiptar”, tha ai.

Zoti Berisha nënvizoi se janë shpallur paraprakisht dhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme. “Nuk mund të nderojë me asgjë më shumë shtetin shqiptar në 100-vjetorin e tij sesa ndërtimi i tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimi i parlamentit ndër më modernët në Evropë, ndërtimi i stadiumit të ri të Tiranës, ndërtim i cili duhet të pasqyrojë, të gërshetojë traditën, por edhe format më bashkëkohore të arkitekturës”, tha kryeministri.

Kryeministri Berisha tha gjithashtu se 100-vjetori kërkon një trajtim në rrafshin historik, kulturor, shkencor, artistik. Zoti Berisha vuri në dukje persekutimin e firmëtarëve të deklaratës së pavarësisë nën regjimin komunist. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që historia me vërtetësi të rivlerësojë veprën e tyre të madhe”, theksoi ai.

Kryeministri nënvizoi ekzistencën e planeve ogurzeza për shfarosjen nga faqja e dheut të kombit shqiptar dhe faktin që pavarësia e Shqipërisë u shoqërua me copëtimin e trojeve shqiptare në pesë shtete.

(gazetaonline.net)

No comments:

Post a Comment