Berisha: Kriza greke në favor të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, ka dhënë një intervistë për gazetën austriake Kurier. Berisha sheh me optimizëm krizën që po kalon Greqia, pasi e lidh atë me kthimin e emigrantëve në atdhe dhe investimet e tyre atje. Mesa duket, qeveria shqiptare, nëpërmjet kreut të saj, është në disproporcion të plotë me të vërtetën aktuale, e cila që ndron krejt larg asaj që pretendon kryeministri.

Emigrantët shqiptarë që po kthehen në atdhe, pas një qëndrimi disavjeçar në Greqi, e bëjnë vetëm për faktin e humbjes së vendeve të punës dhe jo për mundësitë e investimit që u jep Shqipëria, duke rinisur sërish nga epara jetën familjare dhe duke detyruar fëmijët e tyre të lenë në mes shkollat.

Korrupsioni dhe burokracia në atdhe, janë pengesa më e madhe e dëshirës së emigrantëve të kamur për tu kthyer dhe investuar. Vlen të theksohet gjithashtu edhe shifra hiperbolike e 8000 kilometrave rrugë që Berisha prtetendon se janë hapur në Shqipëri, por kjo është diçka e njohur për mënyrën sesi qeveria shqiptare reklamon me bujë akoma edhe andrallat më të pabesueshme.

Por le të lexojmë më poshtë se ç’ka thënë kryeministri.

-Si ndikon kriza greke tek fqinjët e rëndësishëm të saj?

-Ne ishim të shqetësuar shumë për shkak të bankave greke në Shqipëri. Por ato kanë reaguar me përgjegjshmëri dhe kanë ecur shumë mirë. Por ne ndjejmë që dërgesat e emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë rënë ndjeshëm.

-A do ndjehet shumë mungesa e këtyre parave?

-Efektet negative të krizës greke, të cilave iu druheshim, nuk kanë ndodhur. Në të kundërtën mijëra shqiptarë janë rikthyer. Ata kanë sjellë paratë që kanë kursyer në Greqi dhe kanë nisur të investojnë në biznese të vogla. Për Shqipërinë kjo është një fitore e madhe. Njerëzit, që kanë mësuar shumë jashtë vendit, kthehen dhe ndërtojnë diçka të re këtu.

-Si e përballoi Shqipëria krizën ekonomike të vitit 2008?

-Na ka prekur pak. Ndryshe nga vendet e tjera, që përjetuan recesion, rritja jonë ekonomike u ul nga 8.2 % në vitin 2008 në 3.2% në vitin 2009, por gjithmonë mbeti një rritje, që ne shpresojmë se do arrijë sërish në 5 %. Kjo erdhi kryesisht për shkak të investimeve në infrastrukturën tonë. Në dy vitet e shkuara ne kemi investuar 10 %të produktit kombëtar bruto në ndërtimin e rrugëve, ne kemi ndërtuar 8 mijë(!!!) kilometra rrugë.

-Përse në brigjet e mira e të gjata të Shqipërisë nuk ka ende turistë austriakë?

-Grupet e para të turistëve që kam takuar, ishin austriakë. Por është e vërtetë, vjet kishim 3.5 milion turistë, shumica nga vendet fqinj. E vërteta është se kemi dështuar në promovimin e nevojshëm për të tërhequr turistë nga Gjermania e Austria.

-Deri para pak, shumica e të rinjve shqiptarë linin vendin e tyre. Kjo duket ndryshe tani?

-Që nga Dhjetori ne lëvizim pa viza e megjithatë nuk ka pasur ndonjë vërshim për jashtë. Në fund të komunizmit ne ishim një nga vendet më të varfra e më të pazhvilluara në botë. Kur isha president para 20 vitesh(p.s.: këtu gënjen kryeministri pasi president ai u bë në vitin 1992), fitoja 16 dollarë. Të ardhurat mesatare ishin 6 dollarë. Tani rroga mesatare është 520 dollarë. Ne kemi trefishuar numrin e studentëve, të ardhurat nga taksat janë dyfishuar vitin që shkoi. Kemi një klimë të mirë për biznesin dhe taksa të ulëta. Është një perspektivë totalisht e re. Vendi po zhvillohet prandaj njerëzit duan të qëndrojnë këtu. Dhe që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE nuk është e lehtë, por e mundur. Për këtë arsye ne duhet të ndërtojmë çdo qoshe të vendit donë dhe të ngremë standardet tona.

-A e pengon përplasje e përhershme mes opozitës dhe qeverisë këtë zhvillim?

-Edhe këtë problem shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë. Që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, kur shefi i opozitës, Rama, humbi, socialistët bllokojnë çdo vendim në parlament. Për këtë arsye ne nuk i kalojmë dot nismat që kërkojnë 3/5 e votave. Dhe këtu futen ato ligje të nevojshme për afrimin me BE-në. Rama beson se është më i rëndësishëm bllokimi se votimi.

-A krijon një imazh të keq që fitorja për kryebashkiak të Tiranës është kaq konfliktuale?

-Vendimi është në dorë të gjykatave. Do pranoj çdo vendim: kush humbet me një votë, ka humbur.


(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment