Berisha: Arsimimi mbetet vendimtarë për të hyrë te vendet e zhvilluara

Stadi në të cilin jemi është i një rëndësie vendimtare, ku nga çdo student e pedagog, nga çdo shqiptar, kërkohet të punojë me përkushtim për një ëndërr të dytë të madhe: “Shqipëria një vend i zhvilluar”.
Qeveria do të mbështesë fuqishëm botën universitare dhe akademike të vendit, në përmbushjen me dinjitet e përgjegjësi të madhe te misionit te tyre të pazëvendësueshëm

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e Godinës “Liria” të Universitetit të Tiranës, një godinë e rikonstruktuar që do të shërbejë për aktivitetin akademik të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale. Kjo godinë merr emrin “Liria”, në shenjë simbolike, pasi ajo ka qenë godina ku u zhvillua greva e urisë së studentëve të viteve ‘90’. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, dekanë, pedagogë e studentë të këtyre fakulteteve, ish studentë të ’90-ës, etj.

Kryeministri shprehu kënaqësinë për shndërrimin e kësaj ndërtese në një ndërtesë për Fakultetin Juridik dhe të Shkencave Sociale, pasi 20 vjet më parë, studentë të këtyre degëve ishin në krye të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet njerëzor. Ai theksoi se kjo ndërtesë është frymëzuese për të ardhmen dhe ata të cilët e pagëzuan me emrin “Liri” nuk mund të zgjidhnin emër tjetër më domethënës.

Duke iu referuar rrugëtimit të shqiptarëve në 20 vitet e fundit, Kryeministri tha se sot, pas 20 vitesh, të gjithë ata studentë të viteve ‘90 duhet të ndihet krenar me rrugën që zgjodhën dhe sakrificën që bënë, sepse sot, pas 20 vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër dhe shqiptarët janë 20 vite drite larg viteve ‘90-’92.

Por Kryeministri theksoi se stadi në të cilin jemi është një stad kritik dhe i një rëndësie vendimtare, ku nga çdo student e pedagog, nga çdo shqiptar, kërkohet të punohet me një përkushtim të madh për një ëndërr të dytë të madhe: “Shqipëria një vend i zhvilluar”. Zhvillimi në thelb është një garë shumëplanësh, në rrafshin ekonomik, në rrafshin social, mjedisor, nënvizoi Kryeministri, por gara e të gjitha garave për kombin e vendin, për t’u vendosur në kurorën e vendeve të zhvilluara, është gara e arsimit dhe e dijes. Kryeministri renditi shumë arritje në këtë drejtim, por vuri theksin se vendimtare në këtë drejtim është cilësia në këtë fushë, cilësia e diplomave, e dijeve, e kualifikimeve, e ekspertizës së shkollave tona të larta, është liria e kërkimit shkencor si përcaktuese për cilësinë e universiteteve tona, si dhe liria akademike që ka si shtyllë themelore debatin e lirë e të hapur.

Kryeministri kërkoi nga universitetet të bëjnë gjithçka për të qëndruar në krye dhe për të ecur me dinjitet në garën e dijes, pa të cilën Shqipëria nuk do të mund të jetë një vend i zhvilluar. “Gara e dijes është dhe mbetet vendimtare për fatin e këtij vendi për të kapur nivelet e vendeve të zhvilluara. Unë kam besim shumë të madhe se ata që Shqipërinë në këto 20 vite e nxorën nga honet e historisë dhe e renditën sot në grupin e vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta, ata kanë vizionin, përkushtimin, shpresën, besimin dhe energjinë për ta renditur atë shumë shpejt në grupin e vendeve të zhvilluara”, tha Kryeministri.

Ai garantoi se qeveria do të mbështesë fuqishëm botën universitare shqiptare, botën akademike të vendit, në mënyrë që ata të përmbushin me dinjitet e përgjegjësi të madhe, misionin e tyre të pazëvendësueshëm.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment