BE pengon Beogradi për ndarjen e Kosovës

Bashkimi Evropian është duke e penguar Beogradin që ta lansojë edhe zyrtarisht kërkesën për ndarjen e Kosovës, bëjnë të ditur burime nga qarqe ndërkombëtare në Prishtinë.

Sipas tyre, presidenti serb, Boris Tadiq, e ka inkurajuar dhe më pas mirëpritur opsionin e lansuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i brendshëm serb, Ivica Daqiç, për ndarjen e Kosovës dhe ka dëshiruar që të pozicionohet hapur pro- këtij opsioni, por kishin qenë zyrtarë të lartë të Brukselit ata që e kishin sugjeruar Tadiqin që të heshtë.

Megjithatë, Tadiq nuk kishte heshtur dhe mesazhet e tij i adresoi në një formë tjetër, duke u thënë medieve se idetë për ndarjen e Kosovës nuk janë të reja dhe se ato kanë qarkulluar për një kohë shumë të gjatë.

Këto opsione serbe po lansohen me nxitim në kohën kur po vazhdojnë bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të cilësuara si dialog për çështje teknike. Madje, sipas të njëjtave burime, Tadiq nuk i ka vlerësuar fare të rëndësishme disa marrëveshje që po përfliten se do të mundë të nënshkruhen gjatë këtij muaji, duke insistuar që të hapen temat politike, sidomos ajo e veriut të Kosovës, për të cilin ai si opsion e ka ndarjen e kësaj pjese nga Kosova dhe bashkimin me Serbinë, shkruan sot Zëri.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment