Baste, luajnë 40% e shqiptarëve.

Në territorin e Shqipërisë kompania e parë e basteve ka qenë shtetërore dhe quhej “Qendra e Llotarive Sportive”, e cila u krijua në vitin 1992. Ndërkohë që aktualisht në Tiranë, por edhe në të gjitha qytetet e tjera, çdo 500 metra gjen ndonjë pikë bastesh.

Kështu është në çdo vend ballkanik, një ndër rajonet që pak u prekën nga kriza. Sipas analizave të shumta ekonomike, ulja e standartit të jetesës në këto vende ndihmoi në rritjen e dëshirës së popullsisë për të shpresuar te fati. Rajoni i Ballkanit gjithnjë cilësohet nga agjensitë e specializuara, si një qendër e krimit të organizuar, i favorizuar edhe nga legjislacionet e dobëta e korrupsioni.

Jo rastësisht në vende si Shqipëria, Serbia por edhe FYROM e Bosnja ka persona të implikuar në skandale futbolli e shitje ndeshjesh, ashtu si ky i fundit në Itali.

Janarin e shkuar nga Shqipëria u ekstradua bosi nga Brindisi i “Sakra Korona Unitës”, Albino Prudentino, i arrestuar më 29 shtator të vitit 2010 në Vlorë, në kuadrin e një operacioni antimafia ndërkombëtar. I biri i Prudentinos, Anxhelo, sipas mediave lokale italiane, është pronar i tre kompanive bastesh në Shqipëri, si “Bet Plus”, “Betting System Albania” dhe “Casino Italia” me qendër në Tiranë e Vlorë.

Përveç tij në Shqipëri aktualisht ka rreth 7 kompani bastesh, nga 15-të që ishin më parë, por tani janë të bashkuara për të ndarë tatimet mujore që shkojnë në shifrën e 14 milionë lekëve në muaj. Këto janë shifrat e kompanive të regjistruara zyrtarisht, pasi po t’i bashkohen edhe shumë kompani të tjera që funksionojnë lokalisht e në mënyrë ilegale shifrat shkojnë në rreth 20 kompani, ndërsa pikat zyrtare të basteve janë rreth 2000 e po kaq janë edhe pikat ilegale. Ndërsa Shqipëria ka vetëm 18 biblioteka, 67 galeri pikture e vetëm 7 kinema. Rreth 40% e popullsisë së vendit i ka varur shpresat tashmë tek lojërat e fatit.

Sipas ekspertëve të tregut të basteve, në një fundjavë ndeshjesh në Shqipëri luhen rreth 3 milion bileta, thuajse sa numri i gjithë popullsisë, por kjo për arsye se një person mund të luajë disa bileta, me një shumë bilete mesatare prej 10 eurosh.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment