Ballkani për NATO-n, ‘biznes i papërfunduar’

NATO do të qëndrojë me trupa në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme për të garantuar siguri dhe stabilitet. Kjo dëshmon se nuk ka rënie të interesit të aleancës për rajonin. Po ashtu për NATO-n, Ballkani mbetet një “biznes i papërfunduar” përderisa rajoni nuk ka mbaruar proceset integruese euroatlantike.

Këto komente i ka bërë Stefanie Babst, zv.asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike, në intervistë për Deutsche Welle. Ajo ka thënë se NATO është e angazhuar në këtë rajon prej më tepër se dhjetë vitesh... “Ne e shohim rajonin si pjesë të familjes së madhe të NATO-s dhe do të dëshironim shumë ta shihnim të përfunduar, le të them, biznesin, shprehje kjo që nënkupton përfundimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Jugor në familjen e NATO-s”.

“Lidhur me Kosovën, KFOR- i është i pranishëm atje dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të duhet për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Edhe pse NATO po rishikon me shumë kujdes praninë e saj ushtarake në Kosovë, Aleanca Atlantike është e mendimit se Kosova ka ende nevojë për një angazhim ushtarak në vazhdim për t'u siguruar vërtet që në Kosovë ka siguri dhe stabilitet. Pra NATO do të vazhdojë të ketë në Kosovë prani ushtarake dhe do të mbështesë të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Forcat e Sigurisë së Kosovës për të qenë të sigurt, që këto forca janë në gjendje të plotësojnë misionin e tyre”.

“Askush nuk duhet të mendojë që NATO po ul interesin e saj në Ballkanin Perëndimor. Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një rajon fqinjë por edhe pjesë e familjes euro- atlantike. Prandaj NATO do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje politike dhe strategjike, për tu siguruar që rajoni po vjen më pranë NATO-s dhe do të integrohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky është kuptimi i shprehjes ‘Ballkani është një biznes i papërfunduar’”, ka thënë Babst.

“Nuk do ta përshkruaja situatën në Ballkan me ngjyra rozë. Ka probleme me korrupsionin, trafikun e qenieve njerëzore, progres shumë të ngadalshëm në reformat e sektorit të sigurisë, etj. Ne nuk po i tregojmë me gisht këto mangësi por dëshirojmë të bashkëpunojmë në partneritet të plotë për t'i zgjidhur këto probleme, por në fund të fundit janë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që duhet të merren me to”, ka thënë ndër të tjera zv.asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Divizionin e Diplomacisë Publike. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment