Arrihet marrëveshja për bashkëpunim doganor

Kosova dhe Sllovenia kanë firmosur marrëveshjen për bashkëpunim doganor, e cila ka për qëllim luftimin e evazionit fiskal nga mos deklarimi real i të dhënave për mallin që importohet përkatësisht eksportohet nga vendet tona.

Ministri i Financave, Bedri Hamza me ftesë të ministrit të Financave të Sllovenisë, Franc Krizhaniq, gjendet për vizitë zyrtare në Slloveni, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Naim Huruglica dhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti.

Vizita bëhet me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Qendrës së Ekselencës Financiare në Slloveni si dhe nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim doganor.

Ministri Hamza tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është pjesë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Ministrinë e Financave të Sllovenisë .

“Kjo është marrëveshja e parë që po nënshkruhet me Ministrinë e Financave të Qeverisë së Sllovenisë, andaj të gjitha procedurat e ratifikimit dhe hyrja në fuqi do të përfundojnë në përputhje me datat e specifikuara në marrëveshje”, ka thënë ai.

Marrëveshja, po ashtu, do të ndikojë edhe në shmangien dhe diskriminimin ndërmjet personave të huaj dhe atyre vendor qofshin ata persona juridik apo fizik.

Bashkëpunimi doganor ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë ka ekzistuare dhe më herët, ku falë bashkëpunimit dhe komunikimit të mirë në mes të doganave ka pasur edhe rezultate konkrete në hetimin e veprave të evazionit fiskal.

(gazetaexpress.com)



No comments:

Post a Comment