Arrestohen për kontrabandim me emigrantë dhe krim të organizuar

Policia e Kosovës, të hënën ka realizuar një operacion të koduar me emrin “Gryka”, i cili ka rezultuar me arrestimin e një grupi të strukturuar mirë në përbërje prej shtatë personave, të dyshuar se të njëjtit në vazhdimësi kanë kryer veprat penale kontrabandim me emigrantë dhe krim i organizuar.
Në një komunikatë të lëshuar nga policia, njoftohet operacioni policor është realizuar në rajonet e Prishtinës dhe Pejës, ndërsa të arrestuarit janë të gjithë shtetas të Kosovës.
“Operacioni policor është realizuar në rajonet e Prishtinës dhe Pejës, ku me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë kontrolluar shtëpitë dhe lokalet përcjellëse. Gjatë kontrollit të shtëpive dhe lokaleve tjera tek të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar disa gjësende që ndihmojnë kryerjen e kësaj vepre penale, si dy pasaporta të falsifikuara, një pushkë gjuetie, një sprej (lotsjellës), dhjetë telefona mobil, tri palë dana të dedikuara për ndërrimin e kapëseve të fotografive nëpër pasaporta, disa kartela bankare, tri komplete kapëse metalike për ndërrimin e fotografive”, thotë policia.
Hetimet lidhur me ketë rast janë udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Special të Kosovës, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake është gjyqtar nga EULEX-i.
Me autorizimin e prokurorit të dyshuarit janë ndaluar në ndalim policor dhe janë dërguar në lokalet e qendrës së mbajtjes.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment