Ankesa e Partise Socialiste : 113 Qendra Votimi me probleme

Një prej pikave kryesore të ankimimit të Partisë Socialiste, e cila do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor të hënën, ka të bëjë me ndryshimin e rezultatit nga KQZ, të tabelave përfundimtare të rezultatit për Tiranën.

Bëhet fjalë për vedimet me numër 710-711 miratuar më 23 maj nga KQZ, vendime të cilat ndryshuan rezultatin e Tiranës ku kandidati Edi Rama doli me 10 vota më shumë në përfundim të numërimit të kutisë së fundit në njësinë numër 5.

Krahas shqyrtimit ligjor, kësaj here Kolegjit Zgjedhor do t’i duhet të kalojë në skaner shifrat e nxjerra pas përfundimit të 117 kutive, të cilat u hapën nga KQZ dhe më pas ndryshuan rezultatin duke sjellë avantazhin e kandidatit Lulzim Basha me 82 vota më shumë.

Nga 117 kutitë që u hapën në KQZ, vetëm në 113 prej tyre janë gjetur fletëvotimi të hedhura në kutitë e gabuara, të cilat deri në momentin kur përfundoi numërimi i kutisë së fundit në njësinë 5 konsideroheshin si të pavlefshme.

Në këto 113 kuti numri i fletëvotimeve me atë të votuesve nuk përputhet duke dalë 357 vota tepër. Edhe sikur të marrim të mirqenë një gabim njerëzor në hedhjen e votës në kutiti të gabuar, atherë duke shumëzuar me 4 numrin e votave të gjetura në kuti, pasi në Tiranë është votuar ne 4 kuti, rezultati duhet të prodhojë një shifër e cila është e barabartë me numrin e votuesve.

Për të kuptuar atë që ka ndodhur realisht le të analizojmë shifrat e dy qendrave të votimit: Numri i votuseve në qendrën e votimit me numër 1920 është 569. Po kaq fletë janë gjetur në kutitë për kryetarin dhe këshillin bashkiak.

569 duhet të jetë edhe numri i votave të gjetura në dy kutitë ku është votuar për kryetarin dhe këshillin e njësisë bashkiake.

Por, sipas tabelës të miratuar tashmë nga KQZ, numri i votave të gjetura në këto dy kuti është 571 për secilën, pra në total 4 vota më shumë se në kutitë për kryetarin dhe këshillin bashkiak. Thënë ndryshe, 4 vota më shumë se zgjedhës.

Në qendrën e votimit me numër 1759, numri i zgjedhësve që kanë votuar në katër kuti është i njëjtë 543. Po kaq vota janë gjetur në kutinë për kryetarin dhe këshillin bashkiak, por nga një votë më shumë se numri i votuesve në kutitë për kryetarin dhe njësinë bashkiake.

E njëjta situatë është me të gjitha kutitë e tjera që u hapën në KQZ duke ngritur një pikpyetje të madhe, si është e mundur të dalin më shumë fletë votimi se sa votues?

Mospërputhja e numrit të votuesve me fletët e gjetura në kuti mbetet t’i japë përgjigje Kolegji zgjedhor. Ajo që pritet me interes të shikohet është nëse gjyqtarët e Kolegjit do të ndjekin të njëjtin standart sic edhe ndodhi me komunat Kolsh në Lezhë dhe Shalë në Shkodër, ku për ankimimet e PS se në këto dy komuna kishin dalë më shumë fletëvotimi se sa votues. Kolegji vendosi përsëritjen e votimit.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment