Amnistia, qytetarët të interesuar për hipotekat e banesave

Të interesuarit kanë nisur të përfitojnë nga amnistia fiskale, por procesi nuk është në kulmin e tij. Zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj ka bërë të ditur dje për mediat se, ende janë sporadike rastet e aplikimeve në dogana dhe tatime dhe nuk bëhet fjalë për fluks. Por nga ana tjetër duket se, ka një interes më të madh për rivlerësimin e banesave. Në këtë rast, fluksi i aplikimeve ka qenë më i madh nga qytetarët që nuk kanë ende pronësinë e banesës së tyre. Ministria e Financave, vetëm pak ditë më parë, ka nxjerrë udhëzimet përkatëse, sipas të cilave qytetarët do të procedojnë për të përfituar nga ligji i faljes. 

Ndërkohë që ende është duke u punuar për udhëzimin e për faljen e faturave të papaguara të energjisë deri në vitin 2008. Për këtë udhëzim janë duke punuar tre ministri, ajo e Financave, e Energjetikës dhe Çështjeve Sociale, bënë të ditur burimet në financa. Ndërsa në kuadër të procesit të amnistisë, vetëm pak ditë më parë doli një udhëzim i dytë, për legalizimin e asetëve. Të gjithë ata që deri tani banojnë në apartamente që nuk janë të hipotekuar, por gjithashtu nuk kanë as kontratë shitblerje dhe legalizimi, do të tatohen 10 herë më shumë për të fituar hipotekën e shtëpisë së tyre, në krahasim me ata qytetarë që e kanë kontratën e shitblerjes dhe legalizimit të apartamentit. 

Në këtë mënyrë, sipas udhëzimit të ri, për këtë qëllim publikuar në Fletoren Zyrtare, për disa ndryshime në udhëzimin numër 12 për procedurat e zbatimit të ligjit, për legalizimin e kapitalit dhe faljes së një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, qytetarët pa kontratë do të paguajnë për hipotekimin e apartamentit 10% tatim dhe at, të cilët e kanë kontratën do të tatohen vetëm me 1%. Duke iu referuar udhëzimit në fjalë, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1% e diferencës midis çmimit të rivlerësimit, me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes. Në rastet kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në ZVRPP, nuk ka një kontratë paraardhëse shitblerjeje, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet sipas metodikës së përdorur në udhëzimin nr.9, datë 26.2.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar. 

Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit, për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, zyra vendore e regjistrimit të pasurive llogarit masën e tatimit të rivlerësimit (pika 4 e formularit të rivlerësimit). Aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Buxhetit të Shtetit të Ministrisë së Financave, tatimin 1% të rivlerësimit të pasurisë. Tatimi mbi rivlerësimin e pasurisë duhet të paguhet në momentin e kryerjes së aplikimit për rivlerësim. ZVRPP-ja, pasi bashkëlidh formularin e aplikimit për rivlerësim me mandatin e pagesës së tatimit nga aplikuesi, bën ndryshimet përkatëse brenda 10 ditëve, në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment