Alibia legale e alkimisë elektorale

Vota është ‘kryedominoja’e sistemit demokratik dhe nëse bie ajo, të gjitha pasojnë duke kompromentuar rëndë respektin ndaj institucioneve. ‘Alkimia’ elektorale e KQZ dhe reagimi i Kolegjit Zgjedhor rreth fatit të votës së 8 majit nuk përbën lajm. Nëse perceptohet se korrupsioni, kultura e mosndëshkueshmërisë apo intimidimi politik e shtetëror, ende sfidojnë shtetin ligjor, drejtësia nuk mund të bëjë përjashtim ndonse për ironi, edhe kur e ‘verbër’, njëlloj si tek fabula e ‘ujkut dhe çobanit’, për inerci paragjykohet deri në refuzim duke shkurajuar edhe përpjekjet e sinqerta të idealistëve brënda saj.



Gjeneza e normalitetit demokratik



Pas konfirmimit politik të normalitetit demokratik, ‘leva e Arkimedit’ për vijimësinë e tij mbetet drejtësia. Përtej ‘kryqëzimit’, ajo ka nevojë për inkurajim për më tepër që operon në një kontekst jo normal demokratik ku ‘i mbyturi’ pret të shpëtohet nga ai që nuk di not vetë. Hapin e parë e hedh politika që me konsensus (a) qartëson e specifikon rregulla që shmangin subjektivizmin duke e bërë komode punën e gjyqësorit shoqëruar me (b) konsolidimin e solemnitetit gjyqësor (statusi, mbrojtja e veçantë, kariera, dinjiteti ekonomik), (c) masa efektive ndaj abuzimit me ligjin apo (d) reforma e ndërhyrje specifike që lehtësojnë vendimmarrjen si prania e jurive, zgjerimi i rrethit në vendimmarrje delikate, transferimin efikas në gjykata ndërkombëtare, rregullimin e mbulimit televiziv në respekt të integritetit të gjykimit etj.

Drejtësia meriton shansin e rradhës që një ditë të gjejë vetveten. Kjo fillon nga mirëkuptimi, pavarësisht njëmëndjesisë ndaj vendimit, për ‘duart e lidhura’ prej politikës dhe shmangja e tundimit për të denigruar protagonistët në të. Mirëkuptim ky që nuk do të thotë respekt për sa kohë pavarësia mbetet në pikpyetje. Ndaj një vendimi që nuk përmbush pritshmëritë normale demokratike, zgjidhja nuk është ‘vetëgjyqësia’ por sensibilizimi dhe beteja politike pa kompromis ndaj ‘rrënjëve’ reale të problemit.



Dështimet e dëshmuara dhe dorëheqjet e munguara



Mazhoranca sistematikisht po ‘djeg’ të gjitha shanset për të krijuar preçedente demokratike të qeverisjes sipas NATO, duke u paragjykuar si për respektimin e të drejtave të shtetasve e opozitës, votës e pronës, institucioneve të pavarura, mesazheve perëndimore ashtu dhe arbitraritetin në politikat e zhvillimit. Përkundrejt papërgjegjshmërisë qeverisëse, dorëheqja mbetet ende ‘tabu’ duke mos u konsideruar si emancipim demokratik dhe aset politik por si dështim dhe ‘turp’ që shmanget me çdo kusht.

Normalizimi i jetës politike, si premisë për ‘frymëmarrjen’ e institucioneve e pushteteve të pavarura, nënkupton si (a) reforma dhe kuadër transparent ligjor – votime efikase dhe përfaqësuese, monitorim qeverisjeje ashtu dhe (b) ‘vetërregullim’ të protagonizmit politik – premtime reale elektorale dhe monitorim të tyre, afate të cilësuara lidershipi, shmangje të arbitraritetit për strategjitë kombëtare dhe ndjeshmëri ndaj elektoratit (pa e marrë të mirëqënë) e shprehur në rutinën e zgjidhjeve politike si dorëheqja, rrokada qeveritare apo zgjedhjet e përgjithshme.



Alibia e moralit të votës



Thelbi i progresit politik mbetet morali i politik. Atë duhet ta dëshmojë së pari mazhoranca që ka privilegjin e pushtetit përballë tundimit të abuzimit me të. Ndërsa flet për moralin e votës së 8 majit, ajo paragjykohet në sinqeritetin e saj teksa iu kundërvu, deri në ‘inkuizicion elektoral’, solemnitetit të vullnetit të votuesit të 2009. Ndërsa për të në 2011 morali ka prioritet ndaj proçedurës, në 2009 ishte krejt e kundërta kur me proçedurën e KQZ, legalizuar më tej prej Kolegjit Zgjedhor, ‘meku’ padrejtësisht zërin e votuesve në shkelje të së njëjtës Kushtetutë. Rrjedhimisht, morali i votës i lançuar prej saj, përtej një inspirimi demokratik, përfaqëson alibinë e rradhës për statukuonë e qeverisjes për aq kohë sa ajo nuk shfaq pendesë për ‘burgosjen’ e votës së 2009 dhe nuk apelon për votën e hedhur gabim në 2011 pasi të pranojë paraprakisht verdiktin e 8 majit, ashtu siç ai u lexua, ‘live’ para miliona shqiptarëve dhe miqve të huaj që respektuan solemnitetin e atij momenti.



Zgjedhjet e vonuara të parakohshme dhe iluzioni 2013



‘Alkimia’ elektorale post 8 maj në Tiranë i tejkaloi të gjitha pritshmëritë. Prania e liderit të opozitës në garë tundoi pushtetin deri në irracionalitet duke shokuar ‘live’ edhe perëndimin. Me pengmarrjen post-elektorale, mazhoranca tenton të zbehë fitoren e opozitës për të sfumuar dhe dekurajuar zellin e opozitës për zgjedhje të parakohëshme. Përballë arbitraritetit të mazhorancës që u merr hapur ‘erzin’ institucioneve e pushteteve të ‘pavarura’, opozita nuk e ka më luksin e pritjes deri kur mazhoranca të ‘hajë vetveten’. Ndërsa duhet respektuar rruga ligjore e rivendikimit të fitores së merituar të 8 majit, sfida e opozitës mbetet përtej fatit të karrikes së kryebashkiakut.

Me 2013 larg e pranë, pas përvojës së 2009 e 2011, opozita nuk ka më iluzione se kjo qeveri respekton votën e lirë me 2013 si ‘alkiminë’ e rradhës. Pas Tiranës, sfida mbetet zgjedhjet e parakohëshme nën administrimin e një qeverie ‘Mirëbesimi’ paraprirë prej reformave elektorale e në drejtësi. Arsyet janë dhe vetëm rëndohen me një shoqëri jo vetëm të etur dhe privuar për punë, mirëqënie, drejtësi e dinjitet kombëtar por dhe votë të lirë dhe transparente. Nëse reagimi qeveritar ndaj Gërdecit, 21 janarit, marrëveshjes së ujrave e skandaleve të tjera nuk është minimalisht as dorëheqje e të përfolurve por promovimi i mëtejshëm i tyre në gara elektorale, opozita dhe shoqëria janë në të drejtën e tyre për reagim me çdo formë paqësore demokratike duke dëshmuar përpara perëndimit se kemi të njëjtat pritshmëri demokratike si dhe ta për të refuzuar si fatalitet nëpërkëmbjen e votës dhe abuzimin flagrant me pushtetin.



Shpresa që venitet përditë



Inercia otomane, vakuumi demokratik i trashëguar prej monizmit dhe pështjellimi pafund i tranzicionit kanë lënë ndikimin e tyre në emancipimin demokratik të shoqërisë dhe frymëzimin nga ‘poshtë’ të lëvizjeve për vlera perëndimore ndaj mbetet misioni i opozitës për të nxitur dhe udhëhequr këtë proçes sikurse bëri me sensibilizimin unik të kauzës së votës së lirë. Protestat dinjitoze dhe paqësore, të kombinuara me debatin parlamentar, nuk mund të jenë subjekte të sezoneve stinore se të pashpresët dhe ata që duan një vënd normal për fëmijët e tyre nuk e kanë luksin e kohës me ëndërrat që u veniten përditë teksa ‘telenovela’ e arbitraritetit e nga lart vijon non-stop.



Respekti institucional buron nga vota e lirë



Shoqëria meriton normalitet demokratik dhe ‘tulla’ e parë në themele është respekti ndaj votës së lirë mbi bazën e të cilës ngrihet gjithshka, drejtësia përfshirë. Nëse kjo ‘domino’ e parë në vargun e gjithë ngrehinës demokratike bie, të gjitha herët e vonë pasojnë me rrjedhojë paragjykimin ndaj institucioneve dhe vendimeve të tyre, respekti për të cilat kalon përmes respektit ndaj votës dhe proçesit të votimit. Nëse ‘futim’ duart tek vota, me ‘dopiogjashtën’ në dorë rrugëdalja më racionale mbetet zgjidhja politike. Me votën e kompromentuar, paragjykohet çdo institucion, ndaj vetëm çlirimi i saj çliron shpresën për demokraci dhe besimin dhe respektin tek shteti ligjor, gjykatat përfshirë.

(Artan Xh. Duka/gazetatema.net.net)

No comments:

Post a Comment