Aksident trafiku, humb jetën 15-vjeçari

Y. Saraqi (15), djali i vetëm i familjes Saraqi nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku, që ka ndodhur në atë fshat.

Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në një kthesë në rrugën lokale të fshatit, ku janë përfshirë një automjet transportues kombi i markës “VV- Passat” dhe viktima, i cili në momentin e aksidentit po e drejtonte biçikletën.

Si viktima ashtu edhe ngasësi i automjetit mësohet se janë nga i njëjti fshat.

Në bazë të hetimeve preliminare, besohet se aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia, ka thënë të martën zëdhënësi rajonal i PK-së në Mitrovicë, Besim Hoti.

“Besohet se viktima ishte duke drejtuar biçikletën e tij me shpejtësi, në një tatëpjetë me një kthesë, në të cilën besohet se humb kontrollin dhe del në shiritin e kundërt, ku edhe përballet drejtpërdrejt me automjetin transportues, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt”, ka konfirmuar togeri Hoti.

Viktima e këtij aksidenti është dërguar menjëherë në spitalin e Vushtrrisë, por në raportin e mjekut kujdestar thuhet se viktima kur kishte arritur në qendrën spitalore ishte pa shenja jete.

Ngasësi i automjetit, një 28-vjeçar, është intervistuar nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit policor deri në përfundimin e procedurave hetimore. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment