Agnesa largohet nga DWS

Bukuroshja nga Kosova, Agnesa Vuthaj e mbylli garën e saj në Dancing with the stars, mbrëmjen e të enjtes. Agnesa Vuthaj u bë kështu personazhi i fundit VIP, që largohet nga sfida e famshme televizive, pasi u vu përballë me këngëtarin Shpat Kasapi.

Mendonte se kishte si rivalen më të fortë Çiljeta Xhilagën, por në fakt shansin e fundit për të shkuar në finale Agnesa Vuthajt ia mori nga duart Shpat Kasapi. Të mbetur në danc off, prej pikëve më të pakta të marra nga juria dhe publiku, kosovarja dhe maqedonasi u vunë në një sfidë edhe më të drejtpërdrejtë me njëri- tjetrin. Të cilën e fitoi ky i fundit.

Ndërsa dy të tjetër Enver Petrovci dhe Çiljeta Xhilaga kaluan direkt në finale e madhe, si pretendentë të fortë të çmimit të madh.

Kështu u mbyll dhe nata e 11-të e sezonit të dytë të “Dancing with the stars”, ku emocionet dhe ankthi i humbjes ka qenë shumë më i fortë se çdo herë tjetër. E jo vetëm te konkurrentët dhe balerinët e tyre, por edhe te publiku. Tifozëria për secilin konkurrent të “Dancing with the stars” është bërë e jashtëzakonshme. E jo vetëm aty në sallën e madhe ku kjo garë zhvillohet live. Kudo e gjithkund, në këto ditë flitet për fituesin e madh: kush do ta fitojë “Dancing with the stars”? Një pyetje kjo që do të marrë përgjigje përfundimtare vetëm të enjten e 16 qershorit, natën e fundit të kësaj gare që ka gllabëruar shumë e shumë shikues në Shqipëri e jashtë saj.

Shumëkush mund të hedhë bast për secilin prej konkurrentëve të mbetur në garë. Shanset janë të barabarta për të tre. Sepse në një fazë të garës ata janë të perfeksionuar, si të jenë ushtruar jo 12 javë por një jetë të tërë. Progresi i secilit prej tyre është krejt i dukshëm në ekran. E në fakt në një farë mënyrë ata mund të konsiderohen që të tre fitues. Gjithsesi, çmimi i madh është vetëm një. Çdonjëri prej tyre do ta synojë fort. Vota e jurisë e sidomos ajo e publikut e vendos se në duart e kujt do të bjerë kupa e fitores. E sigurisht që fatin e fitores e vendosin deri diku edhe ata vetë, pra konkurrentët.

Në natën e fundit duket se sfida do të jetë vërtet shumë e fortë. Ata do të garojnë në plot katër performanca, në disiplina të ndryshme. Kjo do të thotë se kjo javë do të jetë tejet intensive me prova. Sepse nuk është aspak e lehtë të fitosh në “Dancing with the stars”. Vetëm një performancë e mirë të sjell votat e duhura për t’u shpallur fitues. Kjo është formula e vetme e marrjes së çmimit në “Dancing with the stars”.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment