Afrika e Jugut nuk e njeh Kosovën

“Afrika e Jugut nuk do ta njeh Kosovën”. Kështu ka deklaruar për Radio Dukagjinin , zëdhënësi i Departamentit për Punë të Jashtme i këtij shteti, Clayson Monyela. Vështirësitë lidhur me Afrikën e Jugut i ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli. Ai thotë se diplomacia serbe nuk është duke qëndruar duarkryq.

Kanë kaluar më shumë se katër muaj që Kosova nuk ka marr asnjë njohje. Kjo është periudha më e gjatë pa njohje që nga pas shpallja e pavarësisë.

Megjithë paralajmërimet për njohje, Afrika e Jugut, shtet me ndikim mjaft të madh në kontinentin afrikan nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Kështu i ka deklaruar përmes një mesazhi Radio Dukagjinit, Clayson Monyela , zëdhënës i Departamentit për Punë të Jashtme i Afrikës së Jugut.

Ndërkohë i kontaktuar me telefon, ai nuk ka dashur të jap asnjë koment shtesë se pse ky shtet nuk do ta njeh Kosovën. “Nuk kemi koment lidhur me këtë çështje”, ka theksuar Monyela.

Edhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli ka konfirmuar që është në dijeni për këtë qëndrim të shtetit të Vuvuzelave. “Është shumë e vërtetë se fqinji ynë nuk rri duarkryq. Poashtu është shumë e vërtetë se Afrika e Jugut do të jetë njëri nga partnerët tonë të vështirë nga i cili mund të sigurojmë njohje” ka thënë Pacolli

Megjithatë, zëvendëskryeministri Pacolli i ngarkuar ekskluzivisht me çështjen e lobimit thotë se rreth 90 për qind e vendeve afrikane të cilat ai i ka vizituar së fundmi, janë të gatshme ta njohin Kosovën.

Madje ai paralajmëron se në Samitin e vendeve afrikane që pritet të mbahet së shpejti temë dite do të jetë edhe njohja e Kosovës.

Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilir Ibrahimi thotë se ndër shkaqet kryesore pse Kosova nuk është duke lëvizur nga numri 75 i njohjeve janë edhe zhvillimet që janë duke ndodhur brenda Kosovës.

“Kemi pasur pra një krizë politike të brendshme e cila pa dyshim reflekton edhe në politikën e jashtme”, pohon Ibrahimi. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment