10 futbollistët protagonistë në kampionatet europiane.

Kampionatet europiane kanë ulur siparin prej pak ditësh dhe tashmë të gjithë kanë filluar që të bëjnë vlerësimet e tyre. Një prej këtyre vlerësimeve ka të bëjë me lojtarët që kanë ndikuar më shumë në kampionatet europiane. Nga Mousa Sou i Lilës, tek Lionel Mesi, tashmë i konsideruar gjithmonë e më shumë si futbollisti më i madh në botë: ne po ju sjellim një renditje me futbollistët më të mirë në Europë, ata që kanë qenë protagonistët kryesorë gjatë këtij sezoni të gjatë.



10. Mousa Sou (Lilë)


Lila është rikthyer në krye të futbollit francez pas një mungese prej dekadash. Ekipi i drejtuar nga ana e Rudi Garcias ka mundur që të shpallet në fund të kampionatit kampion dhe një meritë të madhe për këtë ka pikërisht Mousa Sou. Sulmuesi i ri senegalez mundi që të shënojë 22 gola gjatë kampionatit, duke u shpallur edhe galashënuesi më I mirë në Francë. Tashmë ai ka tërhequr vëmëndjen e një sërë klubesh europiane dhe sezonin që vjen ndoshta nuk do të luajë më për ekipin francez.


9. Edinson Kavani (Napoli)


Sulmuesi uruguajan është kthyer në simbolin e ringritjes së Napolit. Me vetëm një sezon të zhvilluar me Napolin, tashmë ai ka hyrë në historinë e këtij klubi. Uruguajani ka treguar se mund të shënojë shumë, se ka klas dhe se ka një personalitet të madh. Me të drejtë ai është konsideruar si një prej blerjeve më të mira në kampionatin italian. Bashkë me Antonio Di Natalen, ai është shënusi më i mirë në Itali. Nëse Napoli sezonin që vjen do të luajë në Ligën e Kampioneve, kompeticion në të cilin mungon për dekada të tëra, merita kryesore është pikërisht e Kavanit. Shpërthimi i tij këtë sezon bëri që shumë ekipe të mëdha të pendohen për faktin se nuk e afruan në gjirin e tyre. Këtë gjë kërkojnë që ta bëjnë tani, por do të jetë shumë e vështirë që t’i shkëpusin Napolit thesarin e vet. Të paktën për momentin ai është i pashitshëm.


8. Manuel Nojer (Shalke 04)


Tashmë portieri i kombëtares gjermane ka kaluar tek gjigandi i Bundesligës, Bajern Mynih dhe një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht sezonit fantastik të zhvilluar me Shalken. Nojer konsiderohet si një prej lojtarëve më të talentuar të dalë gjatë viteve të fundit. Ai mahniti me paraqitjet e tij sidomos në Ligën e Kampioneve, aq sa mahniti as më shumë e as më pak, por vet Sër Aleks Ferguson, i cili u shpreh me superlative për portierin e ri të Bajernit të Mynihut. Tashmë Nojerin kanë filluar që ta konsiderojnë si portierin më të mirë në botë. Por, edhe nëse nuk është për momentin, specialistët e futbollit thonë se shumë shpejt ai do të jetë numri një në botë.


7. Xhiuzepe Rosi (Vilareal)


Rosi është padyshim një nga lojtarët e rinj më të mirë italianë. Ai ka shkëlqyer gjatë këtij sezoni me Vilarealin, duke e ndihmuar ekipin që të kualifikohet në Ligën e Kampioneve. Rosi ka shënuar 18 gola në kampionat, ndërsa ka qenë edhe më vrastar në Europë, pasi ka mundur që të shënojë plot 11 herë në Ligën e Europës. Sezoni i tij fantastik ka bërë që për sulmuesin italian të interesohen klubet më të mëdha në Europë dhe tashmë mediat spanjolle e kanë bërë një fakt të kryer transferimin e tij tek gjigandët e Spanjës, Barcelona. Jo keq për një sulmues që është vetëm 23 vjeç dhe që tashmë ka arritur të zërë një vend edhe në kombëtaren italiane të drejtuar nga ana e Çezare Prandelit. Vilareali do ta qajë këtë sulmues kur të largohet, por, kur të thërret një ekip si Barcelona, është e vështirë që t’i thuash jo. Drejtuesit e Vilarealit e dinë shumë mirë këtë gjë dhe për këtë arsye nuk i kanë hapur probleme.


6. Falkao (Porto)


Nëse ka një ekip në Europë që ka fituar gjithçka, ai është pikërisht Porto. Dhe, një meritë të madhe për këtë ka pikërisht sulmuesi kolumbian, Falkao. Ky i fundit arriti që të shënonte 16 gola në kampionat, duke u renditur i dyti në klasifikimin e përgjithshëm, pas shokut të skuadrës, Hulk, që shënoi 17 herë. Por, Falkao do të mbahet mënd për numrin e jashtëzakonshëm golave të shënuar në Ligën e Europës: plot 17 gola, duke kaluar kështu legjendën gjermane, Jurgen Klinsman, që kishte shënuar 16 herë. Goli më i rëndësishëm ishte padyshim ai i finales kundër Bragës. Tashmë Falkao ka tërhequr vëmëndjen e një sërë klubesh të rëndësishme në Europë dhe largimi i tij nga Porto duket se është çështje kohe.


5. Garet Bejl (Totenhem)


Një prej lojtarëve që ka shkëlqyer më shumë gjatë këtij sezoni, Bjel është simboli i këtij totenhemi. Ka një fuqi dhe fizik të jashtëzakonshëm, të cilat i lidh edhe me shpejtësinë dhe teknikën, duke u bërë kështu një lojtar i frikshëm. Kundërshtarët e tij kanë kaluar momente shumë të shëmtuara përballë tij, pasi kanë dështuar në mënyrë të turpshme. Këtë gjë më së miri e di mbrojtësi i Interit, Maikon, pasi Bejl bëri çfarë të donte në krahun e tij, duke shënuar plot tre herë në “San Siro” dhe duke dhënë asistet e fitores në ndeshjen e kthimit në Londër. Nëse do të kishte një ekip më cilësor, me siguri që për të do të flitej po aq sa ç’flitet për Lionel Mesin. Jo më kot Bejl është një ndër lojtarët më të kërkuar dhe më të shtrenjtë në merkaton e futbollit.


4. Zllatan Ibrahimoviç (Milan)


Sërisht dështoi në europë, por ky është një klasifikim për kampionatet, kështu që e meriton plotësisht të jetë në këtë renditje dhe në këtë pozicion. Sulmuesi suedez arriti që të tërheqë Milanin, sidomos gjatë pjesë së parë të kampionatit, drejt titullit kampion, i cili mungonte që prej vitit 2004. Jo vetëm kaq, por Ibrahimoviç bëri të mundur që Milani të ndërpriste dominimin e Interit, i cili zgjaste prej vitesh dhe i kishtë bërë tifozët kuqezinj të vuanin. Arriti që të shënonte gola të rëndësishëm dhe të jepte pafund asiste, por mbi të gjitha, tregoi një personalitet të madh, të cilin e kanë vetëm kampionët. E vetmja gjë negative është fundi i sezonit, të cilin Ibrahimoviç nuk e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi u ndëshkua dy herë radhazi me karton të kuq dhe për këtë arsye mungoi në pesë ndeshje të rëndësishme.


3. Rajan Gigs (Mançester Junaited)


Me të drejtë do të pyesni veten: “Akoma ky në këto klasifikime”. Por, mesfushori uellsian, edhe pse në moshën 37-vjeçare, e meriton që të jetë në këtë pozicion, pasi ka zhvilluar një sezon fantastik me Junaited. Arriti që të fitonte titullin e 12 në Premier Ligë, duke e ndihmuar Junaited që të vendosë rekord në Angli për numrin e titujve të fituar. Por, një meritë shumë të madhe pati sidomos në Ligën e Kampioneve, ku me asistet e tij arriti që ta çonte Mançesterin deri në finale, ku pastaj kuptohej që nuk mund të bënte dot asgjë përballë një Barcelone magjike. Edhe pse nuk mund të krahësohet me dy vendet e para, Gigs është padyshim lojtari që e meriton më shumë vendin e fundit në podin e kësaj renditjeje.


2. Kristiano Ronaldo (Real Madrid)


Për fatin e tij të keq, Murinjo nuk arriti dot që të sillte titujt e dëshiruar në Madrid. Megjithatë, sezoni i Ronaldo ka qenë i jashtëzakonshëm, duke parë golat e tij të shënuar. Portugezi u shpall golashënuesi më i mirë në kampionatin spanjoll, duke lënë pas rivalin e tij më të madh, Lionel Mesi, të cilin nuk arriti do ta mposhte me trofe, por këtë gjë e bëri me gola. Të vetmin trofe që Reali fitoi gjatë këtij sezoni, Kupën e Mbretit, e fitoi pikërisht nga portugezi, që shënoi golin e fitores në finalen me Barcelonën. Ronaldo mundi që të shënoi i vetëm gjatë këtij sezoni, më shumë se sa shënoi i gjithë ekipi bashkë, 53 gola. Nëse ka një njeri tek i cili madrilenët shpresojnë që të thyejnë dominimin e Barcelonës në Spanjë dhe Europë, ai është pikërisht ai, Kristiano Ronaldo.


1. Lionel Mesi (Barcelona)


Pyet një njeri që nuk merr vesh fare nga futbolli, se kush është futbollisti më i mirë në botë dhe ai me siguri do të thotë vetëm një emër: Lionel Mesi. Për argjentinasin ky ishte një tjetër sezon i magjishëm, në të cilin arriti të shënojë plot 54 gola gjatë gjithë sezonit. Mesi ka qenë deçiziv në të gjitha kompeticionet dhe ka ndihmuar Barcelonën që të triumfojë në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve. Goli i tij në finalen e Londrës përballë Mançester Junaited ishte si qershia mbi tortë. Tashmë të gjithë ata që marrin vesh nga futbolli, nuk diskutojnë më nëse Mesi është futbollisti më i mirë në botë: kjo është një çështje e mbyllur. Diskutimet tashmë bëhen nëse ai është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Një pjesë e mirë e njerëzve thonë po. Ashtu themi edhe ne. Por, koha do të jeta ajo që do ta vërtetojë këtë gjë.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment