Zbulohen fletët për kryebashkiakun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në dorëzim konstatimet e gjashtë KZAZ-ve në Tiranë, në lidhje me gjetjen e fletëve për kryetar Bashkie në kutitë e gabuara.Sipas këtyre konstatimeve, në KZAZ-të 54, 51 dhe 55 janë gjetur në total 85 fletë votimi për kryetar Bashkie, ndërsa tre KZAZ-të e tjera nuk japin një shifër konkrete se sa fletë janë gjetur gjithsej. Nga ana tjetër, priten konstatimet edhe të 5 KZAZ-ve të tjera në Tiranë, në lidhje me këtë problematike, pasi në to ende nuk ka përfunduar i plotë procesi i numërimit të votave.
Në konstatimet e KZAZ-ve vihet re kundërshtia mes anëtarëve në lidhje me vlerësimin e këtyre fletëve. Shumica e tyre nuk janë firmosur nga anëtarët e PS-së, me pretendimin se procesi i votimit ka përfunduar dhe ato duhet të cilësohen si të pavlefshme, pasi edhe tabela e rezultateve është mbyllur në KZAZ-në përkatëse. Nga ana tjetër, komisionerët e djathtë shprehen se këto fletë nuk mund të cilësohen si të pavlefshme, pasi në Kod nuk përcaktohet në këtë formë, por kërkojnë që për ato të ketë një vlerësim nga KQZ. “Duke konstatuar se votat shprehin qartë vullnetin e zgjedhësit, sipas Kodit Zgjedhor konsiderohen të vlefshme, por duke qenë se në këtë fazë të procesit nuk kemi mundësi t’i verbalizojmë si të vlefshme në tabelë, me qëllim pasqyrimin e tyre në rezultatin përkatës, kërkojmë nga ana juaj që këto fletë votimi të administrohen nga KQZ-ja si të vlefshme ose të pavlefshme të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse duke llogaritur sipas saj kandidat për Bashkinë e Tiranës’, thuhet në letrat e konstatimeve të KZAZ-ve.
Konkretisht, në KZAZ-në Nr. 54, e cila i korrespondon Njësisë Bashkiake Nr. 10, ku ka përfunduar i gjithë procesi, anëtarët e djathtë të kësaj KZAZ-je shprehen se kanë gjetur 12 fletë votimi në favor të kandidatit Basha, por që i kanë futur në një zarf, duke i cilësuar si të pavlefshme. Në KZAZ-të e tjera, ku procesi është ende në vijim, shprehet se këto fletë janë cilësuar si të kontestuara dhe janë futur në një zarf të posaçëm. Tre prej KZAZ-ve që kanë dërguar konstatime në KQZ, nuk japin një shifër konkrete të votave të gjetura në kutinë e gabuar.

Konstatimet e KZAZ-ve

KZAZ Nr. 54 (Njësia Bashkiake Nr. 10)
1. Në Qendrën e Votimit Nr. 1995 është gjetur një fletë votimi për kandidatin e PD, Lulzim Basha, e cila është hedhur në një prej kutive të tjera, jo në atë të kryetarit të Bashkisë dhe rrjedhimisht është cilësuar si e pavlefshme dhe është futur në zarfin e fletëve të pavlefshme.
2. Në Qendrën e Votimit Nr. 1999 është gjetur një fletë votimi për kandidatin e PD, Lulzim Basha, e cila është hedhur në një prej kutive të tjera.
3. Në Qendrën e Votimit Nr. 1996 janë gjetur dy fletë votimi për kandidatin e PD, Lulzim Basha, të cilat janë hedhur në një prej kutive të tjera.
4. Në Qendrën e Votimit Nr. 1984 janë gjetur dy fletë votimi për kandidatin e PD, Lulzim Basha, të cilat janë hedhur në një prej kutive të Këshillit Bashkiak.
5. Në Qendrën e Votimit Nr. 1982 janë gjetur gjashtë fletë votimi për kandidatin e PD, Lulzim Basha, të cilat janë hedhur në një prej kutive të Këshillit Bashkiak.
Total, 12 fletë për kandidatin Lulzim Basha

KZAZ Nr. 48 (Njësia Bashkiake Nr. 4)
1. Gjatë numërimit të votave në kutinë për kandidat për kryetar të Minibashkisë Nr. 4 janë konstatuar brenda kutive fletë votimi për kandidat për Bashkinë e Tiranës, konkretisht në qendrat 1782, 1783, 1784, 1783/1, 1786, 1800, 1806, 1806/1. Në kërkesën e kësaj KZAZ-je nuk jepet një shifër totale e këtyre votave të gjetura në këto kuti.

KZAZ Nr. 53 (Njësia Bashkiake Nr. 9)
1. Gjatë numërimit të votave në kutinë për kandidat për kryetar të Minibashkisë Nr. 4 dhe për Këshill të Minibashkisë, përkatësisht në qendrat 1959/1, 1951, 1960/1, 1961/1, janë konstatuar fletë votimi për kandidat për Bashkinë e Tiranës. Në kërkesën e kësaj KZAZ-je nuk jepet një shifër totale e këtyre votave të gjetura në këto kuti.

KZAZ Nr. 49 (Njësia Bashkiake Nr. 5)
1. Gjatë numërimit të votave në kutinë për këshill të minibashkisë në Qendrën Nr. 1852 është konstatuar se brenda kutive gjendeshin fletë votimi për kandidat për Bashkinë e Tiranës. Në kërkesën e kësaj KZAZ-je nuk jepet një shifër totale e këtyre votave të gjetura në këto kuti.

KZAZ Nr. 51 (Njësia Bashkiake Nr. 7)
1. Gjatë numërimit të votave në kutinë për kandidat për kryetar të Minibashkisë Nr. 7 dhe për Këshill të Minibashkisë, përkatësisht në 5 qendra votimi janë konstatuar 31 fletë votimi brenda këtyre kutive, të cilat shprehin qartë vullnetin e tyre për njërin nga kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

KZAZ Nr. 55 (Njësia Bashkiake Nr. 7)
1. Gjatë numërimit të votave në kutinë për kandidat për kryetar të Minibashkisë Nr. 11 dhe të këshillave, përkatësisht në 9 kutitë e 12 qendrave të votimit, 2021, 2022, 2025, 2027, 2026, 2029/1, 2031, 2031/1, 2032, janë konstatuar 42 fletë votimi të vlefshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë futur në zarfin e kontestimeve.

Vijon Numërimi në disa kzaz të tiranës

Në mjaft prej KZAZ-ve vijon procesi i numërimit të votave dhe 5 KZAZ nuk kanë dërguar konstatime në KQZ nëse kanë gjetur vota për kryetar Bashkie të Tiranës. Këto KZAZ presin përfundimin e procesit të numërimit dhe më pas të bëhet me dije nëse ka pasur fletë në kuti të gabuara ose jo. Tashmë do të jetë KQZ që do të japë një vendimmarrje në lidhje me këto konstatime.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment