Votat e kontestuara Berisha: KQZ përmbush një detyrim ligjor

 
Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e sotme deklaroi se ligji shqiptar nuk e njeh rezultatin paraprak, nga i cili Rama u vetëshpall fitimtar. Vetëm rezultati përfundimtar do të shpallë kandidatin fitues, u shpreh Berisha.

“Vendi, kombi kaloi një proces zgjedhor ndër më dinjitozët në tërë historinë e tij, në prani të mijëra vëzhguesve vendas e të huaj qytetarët shqiptarë nuk votuan me votë për lule të ballit por për kandidatin që deshën. Këto vota u vlerësuan, u numëruan para të gjithë shqiptarëve, madje pati kuti që mediat i numëruan live.
Në rast se procesi në të gjithë vendin nuk shënoi as edhe konfliktualitetin më të vogël, në Tiranë ndodh e kundërta. Në datë 14 maj, të 11 minibashkitë e Tiranës përfunduan numërimin e votave dhe dhanë një rezultat i cili në momentin më të fundit nxorri kandidatin e PS me 10 vota para, kjo ndodhi dhe ndryshimi i shifrave në KQZ ka qënë i faktuar dhe asnjë manipulim nuk ka pasur. Por
ligji shqiptar nuk ka autorizuar KQZ-në të shpallë rezultat paraprak, ky rezultat nuk është vënë në diskutim por nuk mund të shpallet zyrtarisht, se ligji nuk ia ka dhënë këtë autoritet KQZ-së. Ligji e autorizon të shpallë vetëm rezultat përfundimtar dhe këtë mund ta bëjë pas shqyrtimit të ankesave”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Pikërisht shqyrtimi i fletëve të kontestuara sipas kryeministrit Berisha është përmbushje e ligjit të hartuar nga PD dhe PS. Nuk mund të mos numërohen këto fletë që shprehin vullnetin e popullit, shtoi kreu i qeverisë, ndërsa tha se aktualisht KQZ-ja po funksionon si komision zonal.

“Ligji u hartua nga PS-PD. KQZ po numëron votat e panumëruara, duke funksionuar si Komision zonal. Po bën detyren më themelore. Votat e ngatërruara nga njerëz që kanë probleme serioze me dallimin e ngjyrave, nuk mund të mos numërohet vullneti i popullit. Qendrimi ultimativ i PS vjen se Rama do të shpallet fitimtar vetëm me rezultatin paraprak”, nënvizoi Berisha.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje kryeopozitarit Rama të heqë dorë nga thirrjet e tij ultimative, pasi institucioni i KQZ-së që ata duan të sulmojnë, sic tha Berisha funksionon dhe po merr vendime vetëm në bazë të ligjit.

“Rama dhe lejtnantët e tij thirrje për agresion verbal. U vërsulën si primitivë mbi kokat e policëve. Kërcënuan fizikisht kreun e KQZ-së dhe bënë plane për të djegur fletët e votimit. Përgjigja jonë është vetëm ligji dhe shteti ligjor. KQZ po zbaton ligjin dhe mbrohet nga shteti”, tha Berisha.

(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment