Vila Pejiç, të parët që konfirmohen te Skënderbeu

Drejtuesit e klubit pranojnë se me të dy lojtarët është arritur akordi, por pritet edhe një bisedë e dytë.
Emiljano Vila dhe Pero Pejiç do të jenë dy blerjet e para të Skënderbeut në këtë merkato, që duket se ka filluar menjëherë pas mbylljes së të sezonit. Të dy lojtarët në fjalë në fakt kanë qarkulluar shumë ditët e fundit në shtypin sportiv, por ka qenë vetë trajneri Shpëtim Duro, i cili ditën e djeshme ka zbuluar se Vila dhe Pejiç mund të quhen pjesë e Skënderbeut, pavarësisht se të dy futbollistët nuk kanë firmosur akoma kontratën me Skënderbeun.

“Përpara një jave ne kemi pasur një bisedë me të dy futbollistët në fjalë dhe dua të them se arritëm edhe akordin, por është lënë edhe një bisedë e dytë, e cila pritet të zhvillohet në ditët e ardhshme, ndoshta qysh pas festës së titullit kampion që do të zhvillojmë ditën e enjte në Korçë.

Vila dhe Pejiç janë dy lojtarët e parë që mund të konfirmohen, por ky është vetëm fillimi, pasi së bashku me presidentin Agim Zeqo kemi vendosur që të paktën 4 5 futbollistë cilësorë të afrohen në këtë merkato për Champions League, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje vërtet dinjitoze.

Për emrat e tjerë nuk di çfarë të them, pasi për momentin nuk kemi ndonjë risi,” ka theksuar ditën e djeshme trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro. Kjo do të thotë që akordi me të dy lojtarët, Vila dhe Pejiç, është mbyllur dhe tashmë pritet vetëm firma në kontratë.

Tifozët korçarë në këtë mënyrë kanë mësuar edhe dy emrat e parë të merkatos, por në ditët në vijim pritet të mësohen edhe emra të tjerë. Ndërkohë, lojtarët e parë që do të vijnë te Skënderbeu tashmë kanë dalë në skenë, por në lidhje me dilemën se kush do të largohet përfundimisht nga Skënderbeu, Shpëtim Duro ka theksuar:

“Unë e kam thënë edhe herë të tjera që dy lojtarët e parë që do të jenë të sigurt që do të largohen, janë Dejan Grabiç dhe Ivan Joliç, dy futbollistë që tashmë kanë mbyllur gjithçka me Skënderbeun.

Përveç tyre, mund të ketë edhe ndonjë largim tjetër, por këtë nuk mund ta theksoj që në këtë moment, pasi kjo do të varet nga afrimet që do të bëjmë.

Nëse do të vijnë më shumë lojtarë cilësorë, sigurisht që do të ketë edhe të larguar të tjerë, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim,” mbyll fjalët e tij në lidhje me merkaton e Skënderbeut, njëshi i stolit korçar, Shpëtim Duro.

(sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment