Vijnë nga Greqia me urdhër dëbimi

Ikja në mënyrë klandestine nga kufiri jugor, është një dukuri që nuk ndalet. Policia greke ka kthyer dje tre shtetas, për të cilët ka nisur procedimi penal. Ata do të gjykohen në gjendje të lirë për veprën penale “kalim të paligjshëm të kufirit”. Procedimi penal ka nisur në ngarkim të shtetasve: Taulant Joanidhi, 26 vjeç, lindur në Përmet e banues në fshatin Stërmbec, Ylber Kadiu, 32 vjeç, lindur në Rripe e banues në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës dhe Arben Pepa, 24 vjeç, lindur në Gurrë e Madhe e banues në lagjen 14, Shkozet të qytetit të Durrësit. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve ka nisur, pasi të tre kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me shtetin grek. Ka qëlluar që ata janë kapur duke qarkulluar pa dokumente të rregullta brenda Greqisë dhe u deportuan nga autoritetet policore greke. Përveç deportimit në vendin e origjinës, për këta shtetas janë dhënë edhe urdhra dëbimi nga autoritetet gjyqësore të shtetit grek.
(www.gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment