Videoja 70 mijë euro, edhe 1 muaj hetim Dritan Priftit

Prokuroria e Përgjithshme shtyn edhe për një muaj hetimet ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, me akuzën e “korrupsionit” lidhur me videon e regjistruar prej vetë atij, ndërsa po merrte 70 mijë euro.Një ditë pas zgjedhjeve të 8 majit, Prokuroria e Përgjithshme ka zgjedhur të njoftojë Dritan Priftin për shtyrjen 1-mujore të afatit të hetimeve ndaj tij, ndërsa ka dërguar në Gjykatën e Lartë dosjen penale ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Sipas burimeve nga Prokuroria, shtyrja e hetimeve për Dritan Priftin edhe me një muaj është bërë me qëllim që gjatë kësaj kohe të kryhen disa verifikime të nevojshme për kompletimin e hetimeve. Objekti i hetimeve ndaj ish-ministri Dritan Prifti është një video e regjistruar nga vetë ai në banesën e tij në Tiranë, më mars 2010. Në këtë video, të cilën Dritan Prifti është përpjekur ta fshinte nga kompjuteri i tij, ish-ministri duket teksa merr 70 mijë euro nga ish-zv.ministri Leonard Beqiraj. Ndonëse hetimet ndaj Priftit filluan në shkurt të këtij viti, kur eksperti amerikan gjeti videon në fjalë, Prokuroria tashmë ka kërkuar edhe një muaj kohë për vendimmarrje, në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, Dritan Prifti është marrë në pyetje disa herë në cilësinë e dëshmitarit për video-regjistrimin tjetër mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Burime të Pro-kurorisë së Përgjithshme kanë pohuar dje se akuza ndaj ish-zv.kryeministrit Meta dhe dosja ndaj ish-ministrit Prifti janë çështje të ndryshme. Për këtë shkak, sipas Prokurorisë, dosja penale ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta është dorëzuar në Gjykatën e Lartë ditën e hënë, thuajse në tejkalim të orarit zyrtar.
Hetimi
Pas hetimeve të para të kryera nga Prokuroria e Tiranës, e cila realizoi verifikimet paraprake dhe mbledhjen e dokumentacionit në lidhje me çështjet që përmendeshin në videon Meta-Prifti, dosja u dërgua në Prokurorinë e Përgjithshme. Organi qendror i akuzës në shkurt 2011 kërkoi ekspertim vërtetësie për videon e publikuar nga Dritan Prifti në emisionin “Fiks Fare”. Më 11 shkurt 2011, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ilir Metës, por edhe të Dritan Priftit. Kërkesa drejtuar Kuvendit u bë një ditë pasi një specialist amerikan dorëzoi në Prokurori raportin e ekspertizës, në të cilën theksonte se videot ishin origjinale, ndërsa theksonte se në kompjuterin e Dritan Priftit kishte gjetur videon ku ish-ministri merrte 70 mijë euro. Më 24 shkurt 2011, Kuvendi i Shqipërisë votoi heqjen e imunitetit, ndërsa më pas Prokuroria vazhdoi hetimet duke kërkuar së fundi edhe një ekspertizë nga një specialist anglez. Këtij të fundit iu kërkua të pastronte zërin e regjistruar në video-përgjimin e Dritan Priftit. Eksperti anglez hoqi nga audioja e videos zhurmat e orës, interferencën e ambientit, por nuk arriti të pastrojë më shumë se 70 për qind të zërit në video.

Avokatët: Videoja, e pavlefshme. Prokuroria s’pret Gjykatën

Avokatët e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta kanë bërë padi në Gjykatën e Lartë kundër Prokurorisë, duke kërkuar shfuqizimin e veprimeve hetimore për shkak të parregullsive ligjore të organit të akuzës. Sipas padisë së bërë në Gjykatën e Lartë nga avokatët e Metës, videoja nuk përmban fakte apo veprime të paligjshme nga ish-zv.kryeministri Meta, por ajo duhet të shpallet e papërdorshme si provë nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi është marrë në kundërshtim me ligjin. Në lidhje me këtë padi të Metës, Gjykata e Lartë hodhi shortin dhe madje zhvilloi edhe seancën e parë të procesit, ndërsa gjyqi është shtyrë për në datën 23 maj. Ende pa u marrë një vendim i tillë nga Gjykata e Lartë, pa u shprehur trupi gjykues nëse videoja në fjalë mund të përdoret në këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të dërgojë dosjen ndaj Metës në të njëjtën Gjykatë që duhet të shprehet më parë për vlefshmërinë, ose jo të videos, mbi bazën e padisë së bërë nga avokatët e ish-zv.kryeministrit Meta që në muajin mars. Nëse Gjykata e Lartë e shpall videon të papërdorshme, atëherë automatikisht bie e gjithë dosja penale, pasi videoja në fjalë pretendohet nga Prokuroria si një nga faktet kryesore në dosje. Seanca e dytë në lidhje me padinë e Metës zhvillohet në Gjykatën e Lartë më 23 maj. Nuk dihet kur do të shpallet më pas vendimi nëse videoja e përgjuar fshehurazi nga Dritan Prifti do të përdorët, apo jo si provë nga gjykata, ndërkohë që Kodi i Procedurës Penale njeh si të vlefshme vetëm përgjimet e realizuara me autorizim nga gjykata.

Precedentët e përgjimeve

Gjykatat shqiptare kanë precedentë të ndryshëm në raport me vlerësimin procedural të përgjimeve zanore apo vizive. Ndonëse në ligj theksohet qartë se përgjimet kanë vlerë procedurale vetëm nëse autorizuar nga gjykata me kërkesë të prokurorit, interpretimet e gjykatave janë të ndryshme. Një zyrtar i lartë i akuzuar pak vite më parë për një çështje me një kompani ajrore, u shpall i pafajshëm në gjykatën e Lartë e cila nuk vlerësoi të ligjshme provën kryesore ndaj tij, regjistrimet e fshehta të bisedave. Pak muaj më parë në Tiranë gjykata dënoi një ish-prokuror të Kavajës me akuzën e korrupsionit pikërisht bazuar mbi një video të regjistruar nga një shtetas me pajisjet e një televizioni privat. Në të dy rastet regjistrimet e fshehta kanë qenë pa autorizim gjykatë por njëherë janë vlerësuar si prova dhe një herë nuk janë konsideruar se kanë pasur vlerë procedurale.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment