“Vetëvendosje” në qelizë

Të jetoje dikur në komunitet dhe të kuptoheshe me fqinjët ishte e thjeshtë dhe mëse e zakonshme.
Të gjithë e njihnin njëri-tjetrin dhe madje kishte bashkëpunime dhe organizime edhe me pallatet rreth e rrotull duke mbledhur plehrat, duke larë shkallët apo edhe duke mbjellur lule në një hapësirë të vogël e të blertë pranë pallatit.

Kurse sot, në kohët moderne të gjithë së bashku, si pa e kuptuar, po krijojmë të ashtuquajturin “fshat global”.

Jetojmë në një ambient të përbashkët, por shumë pak banorë njihen me njëri-tjetrin. Kështu bëhet më i vështirë edhe administrimi i ambienteve. Njerëzit nuk kanë më kohë të lirë për të shpenzuar dhe për t´u angazhuar personalisht në çështjet e higjenës dhe detajet e vogla, shpesh jo edhe aq të rëndësishme siç është diegia e llambës, prishja e ashensorit apo edhe faturat e ujit, dritave dhe telefonit fiks. Kështu lind nevoja për një person, i cili duhet të angazhohet në përmbushjen e të gjitha detyrave brenda komunitetit ku jetojmë.

Malo, që prej 2 vitesh ai është zgjedhur administrator pallati në një prej lagjeve më të mëdha të Tiranës: Komuna e Parisit. Ja si na i përshkruan ai detyrat që duhet të përmbushë cdo muaj: “Detyrat e mia kryesore janë: mbledhja e një shume të caktuar që është 5000 lekë për katin e parë dhe të dytë, dhe 10000lekë nga kati i tretë e sipër. Përveç kësaj merrem edhe me mbarëvajtjen e punëve hidraulike, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëse ka ose edhe vendosjen e kontakteve mes banorëve kur ka nevojë për një bashkëpunim për të zgjidhur një problem teknik.”

Dhe duke qenë se para pak kohësh ka pasur disa probleme të vogla me ujin që sigurisht janë zgjidhur menjëherë pas shfaqjes së shqetësimit, rregullatori i kësaj hyrjeje nuk harron asnjëherë të pyesë banorët nëse ka pasur diçka shqetësuese.

Vangjeli është një nga banorët që jeton në katin e dytë të pallatit 9-katësh. Ai e sheh si të nevojshëm pozicionin e administratorit dhe e konsideron një shumë minimale pagesën mujore kundrejt shërbimit të ofruar për familjen e tij dhe çdo person tjetër që është me qera apo që ka banesën e tij në këtë zonë.

“Ne e kemi zgjedhur administratorin me shumicë votash dhe me marrëveshje. Deri tani gjithcka shkuar mirë. Cdo muaj bëhet bilanci dhe Malo administron të ardhurat duke i dhënë pagën pastrueses e duke kryer shërbimet e tjera”, tregon Vangjeli.

Ekzistenca e administratorëve të pallateve është konsideruar si pjesë e rëndësishme e shoqërisë ku jetojmë jo vetëm nga qytetërët, por edhe nga zyrtarët. Kështu, në 2008 u miratua një ligj për administruesit e ambienteve të përbashkëta, të cilët do të kishin edhe një asamble. Rastësi apo jo, edhe në rastin tonë është formuar një asamble. Por kjo e këtushmja është krijuar vetvetiu, pa urdhër e pa udhëzim. Qytetarë të organizuar kanë gjetur mënyrën e vet.

“Ne kemi një asamble që mblidhet 1 herë në 2-3 muaj për të bërë bilancin dhe për të përcaktuar objektivat”, shprehet Malo.

Këto janë vetëm shenjëzat e para të rinisjes së jetës komunitare në ambientet ku jetojmë. Administratori i pallatit, njeriu që kujdeset për mbarëvajtjen e punëve dhe që përfiton një pagesë të aprovuar nga gjithë banorët për t’u marrë me ato punë që jo të gjithë kanë kohën e duhur për t’u marrë.

Së shpejti këtë shembull do ta ndjekin edhe të tjerë.


No comments:

Post a Comment