Varshavë, Topi darkë pune me Obamën

 
Presidenti shqiptar Bamir Topi i ndodhur në Varshavë ku merr pjesë në Samitin e 17-të të Presidentëve të Evropës Qendrore, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një darkë punë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.
Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit të Presidencës, sipas së cilës, Presidenti Topi në këtë darkë i ka shprehur mirënjohjen homologut amerikan për përkrahjen që SHBA-ja i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin euroatlantik. Kreu i shtetit citohet të këtë thënë gjatë kësaj darke, se vlerëson realitetin e ri gjeopolitik, ndërsa kërkon integrim për mbarë rajonin.

Topi me ftesë të Presidentit të Republikës së Polonisë, Bronislav Komorovski, të delegacionit zyrtar shqiptar mori pjesë dje paradite në ceremoninë e hapjes së takimit të 17-të të Presidentëve të Shteteve të Evropës Qendrore, në kështjellën mbretërore “Zamek Krolevski”, në Varshavë. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në këtë takim Presidenti Topi duke ju referuar gjendjes aktuale, në të cilën ndodhet vendi nënvizoi se Shqipëria, pavarësisht situatës politike postzgjedhore në të cilën ndodhet vizioni i saj nuk është kundër politikave madhore të integrimit, ndërkohë që u shpreh optimist që Shqipëria së shpejti do marrë statusin e vendit kandidatit në BE. “Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt”, - theksoi Topi. Kreu i shtetit shprehu qëndrimin e shtetit shqiptar në mbështetje të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së, e cila do të ndjekë politikën e plotësimit të ëndrrës europiane të të gjithë shqiptarëve. “Siç presim dhe kemi besim se gjatë mandatit të saj dhe më tej, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”- nënvizoi Presidenti. Duke iu referuar lajmit për arrestimin e kriminelit serb të luftës Radko Mlladiç, Presidenti i Republikës u shpreh “padyshim është një lajm i gëzuar dhe risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon”.

Ndërsa Presidenti amerikan Barak Obama, në përfundim të moderimit të tij vuri në dukje se ndryshimet që kanë ndodhur në Evropë Qendrore dhe Lindore brenda një kohe të shkurtër, janë mbresëlënëse duke bërë përparime të jashtëzakonshme për sa i përket demokracisë, një proces i inkurajuar dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat do të vazhdojnë të inkurajojnë dhe të mbështesin të gjitha vendet e tjera të Evropës për integrim të plotë, sepse një Evropë e integruar do të jetë një Evropë më paqësore e bazuar mbi përgjegjësitë, idealet dhe vlerat e përbashkëta të demokracive perëndimore.

Në këtë samit për herë të parë merr pjesë dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Të dy krerët e shteteve fqinje të pranishëm në Varshavë zhvilluan një takim të përbashkët. Presidentja kosovare theksoi se “Kosova është shtet i ri që ka ndikuar e po ndikon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, ndërsa është angazhuar për forcimin e politikës së jashtme, së bashku me institucionet e pozitës e opozitës kosovare, duke hartuar edhe një strategji për këtë qëllim”. Topi e ftoi Jahjagën që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.

(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment