UNICEF dhe miliona, në Vlorë kopjohet Barça

Për sezonin e ardhshëm, Flamurtari do të synojë të rrisë të ardhurat edhe nga menaxhimi i hapësirës publicitare në stadium.Nuk dihet ende nëse do të ketë një sponsor zyrtar në fanellë, ku gjatë këtij sezoni sponsor i vetëm ka qenë Bashkia e Vlorës. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë të ditur se një nga sponsorët më të mundshëm të ekipit mund të jetë edhe organizata humanitare “UNICEF”. Që para një viti, kjo organizatë pati kërkuar bashkëpunim me Flamurtarin, por, për arsye të ndryshme, ky bashkëpunim u la për më vonë. Megjithatë, prej disa ditësh këto bisedime kanë rinisur dhe kësaj radhe, mendohet se do të ketë edhe një akord midis organizatës humanitare më të njohur, e cila është edhe sponsorja e Barcelonës. Veç kësaj, besohet se edhe nga menaxhimi sa më i mirë i të ardhurave të tjera që vijnë nga e drejta TV, mendohet se klubi vlonjat do të ketë një buxhet më të madh për sezonin e ri futbollistik.
Sponsori – Në fakt jo rastësisht mendohet të jetë zgjedhur nga drejtuesit e klubit kuqezi ky sponsor, pasi përfitimet e ekipit pritet të jenë më shumë në aspektin profesional. Kjo organizatë zhvillon edhe shumë ndeshje miqësore për bamirësi, kryesisht me skuadra që mbajnë në fanellë logon e saj, ndaj nuk është çudi që në një të ardhme të afërt të kemi një përballje Barcelona-Flamurtari. Kujtojmë se këto dy skuadra kanë luajtur me njëra-tjetrën në vitet ’86-’88, kur skuadra vlonjate luante në Kupat e Europës. Në katër takime të zhvilluara, Flamurtari humbi një ndeshje, barazoi 2 të tjera dhe fitoi një tjetër. Takimet ndaj Barcelonës mbahen mend edhe si kulmi i kësaj skuadre në gjithë historinë e saj.
Përfitimet – Flamurtari, falë vendit të dytë në kampionat, ka arritur të presë një biletë për në Kupat e Europës. Por mos- arritja e fitores së titullit kampion, duket se ia ka zbehur interesin e pjesëmarrjes në kompeticionin europian. Mjafton të kujtosh që një sezon më parë ekipi bënte çmos për të marrë pjesë në Kupat e Europës, ndërsa çuditërisht, këtë sezon asnjë nga drejtuesit e klubit nuk është kujtuar ta përmendë këtë fakt të rëndësishëm. Duke qenë në vend të dytë, skuadra do të luajë në Ligën e Europës, ku bazuar në nivelin e kundërshtarëve të turit të parë pre-eliminator, mendohet se ekipi vlonjat do ta ketë të lehtë të kalojë më tej. Nga ana tjetër, kjo do të rriste financat e ekipit, nga ku me gjasa përfitimet mund të shkojnë deri në 500 mijë euro, përfshi këtu edhe përfitimet nga e drejta televizive.

Bojkoti, asnjë lojtar në stërvitje

Asnjë nga lojtarët, kur në fakt shumica prej tyre janë “jabanxhinj” e të huaj, apo dhe ata pak vendës, nuk ka marrë guximin të dalin dje në stërvitje, ndonëse ishte programuar që seancat për ndeshjen anti-Skënderbe do të nisnin ditën e hënë, një ditë pas zgjedhjeve vendore. Por në fakt, dje në stadium nuk është paraqitur asnjë pjesëtar i skuadrës dhe të vetmit prezentë ishin punonjësit e mirëmbajtjes së fushës. Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që skuadra vlonjate shtyn stërvitjet. Në mundësi për të marrë vesh se kur do të zhvillohej stërvitja e radhës, pyesin lojtarët të cilët kanë lënë të kuptohet se ndeshja me Skënderbeun nuk është marrë fare seriozisht dhe se pushimet kanë nisur ende pa mbaruar kampionati.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment