Topi merr “nën mbrojtje” Kolegjin Zgjedhor: Ka mbështetjen time

Njëzet e katër orë para vendimit të parë të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, ka ardhur një mesazh i fuqishëm nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe trojka e ambasadorëve: Arvizu, Sequi dhe Wollfarth, duke marrë fuqimisht në mbrojtje trupën e gjyqtarëve për të dhënë një vendim të pavarur. Ditën e djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të disatën herë brenda pak ditësh është takuar me trojkën e ambasadorëve me kërkesën e këtyre të fundit. Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend, veçanërisht pas shpalljes së rezultatit për Tiranën nga ana e KQZ-së. Kur pritet që vendimin përfundimtar ta shpallë Kolegji, Presidenti dhe ambasadorët ranë dakord në domosdoshmërinë e përmbylljes së këtij procesi sipas ligjeve në fuqi. Kjo situatë, sipas tyre, duhet pritur me durim dhe qetësi. Në një deklaratë për shtyp, që është lexuar nga zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu, bëhet fare e qartë qëndrimi i përbashkët ku jepet një mbrojtje për Kolegjin dhe u bëhet thirrje palëve që të mos paralajmëronin fitore, pasi beteja nuk ka përfunduar. "Duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të baroneshës Ashton dhe komisionerit Fule, Presidenti theksoi se: “Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit. Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë e të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë, të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar", bëri të ditur zëdhënësja e Presidencës, Mimoza Koçiu.

Gjatë takimit në Presidencë, siç bëhet e ditur nga njoftimi për shtyp i institucionit të kreut të shtetit, theksohet se “edhe ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Wollfarth u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu, të tre ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend”. Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të baroneshës Ashton dhe komisionerit Fule, vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të ambasadorëve Arvizu, Sequi dhe Wollfarth për kapërcimin e kësaj sfide, duke ndarë të njëjtin mendim me ta në këtë drejtim”. Qëndrimi i djeshëm i kreut të shtetit dhe trojkës së ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit të akredituar në Shqipëri, ka ardhur pas deklaratave të opozitës se gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor janë nën presionin e qeverisë, pasi u janë vendosur policë për survejimin e tyre pa pasur asnjë arsye. Për të gjitha këto zhvillime ka pasur shqetësime në qarqet diplomatike, të cilat gjatë ditës së djeshme mësohet se kanë zhvilluar takime intensive për të shmangur një vendim nën presion të Kolegjit Zgjedhor.

(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment