Topi apelon: Jeta nuk është komoditeti i kolltukut

Tiranë, 23 maj 2011, Presidenti i Republikës Bamir Topi i ka bërë një tjetër apel politikës shqiptare që të mos jetë egoiste pasi jeta shkon përtej komoditetit të kolltukut. Presidenti i Republikës, e bëri këtë apel gjatë përshëndetjes së hapjes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2011, ku do të garojnë rreth 300 të rinj e të reja me aftësi të kufizuara.

Ata do të përfaqësojnë 14 skuadra nga rrethe të ndryshme të vendit në gjashtë disiplina sportive, futboll, basketboll, çiklizëm, ping-pong, atletikë dhe bouling.

Zoti Topi i bëri thirrje të gjithë personave me aftësi të kufizuara që pavarësisht vështirësive të caktuara fizike, të bëjnë që të eliminohen këto vështirësi, të kapin mesazhin e konkurrencës, mesazhin e pjesëmarrjes, të japin mesazhin e paqes.

“T’ju thonë të tjerëve që shikoni, mos u bëni kaq egoistë, mos u bëni kaq indiferentë, sepse jeta nuk është thjesht komoditeti i kolltukut, të secilës zyrë që ju mbuloni. Bëhuni pjesëmarrës edhe ju! Merrni filozofinë e pjesëmarrjes, të humanizmit dhe të tolerancës! Kjo është arsyeja që unë jam i bindur se kjo ceremoni dhe parakalimi juaj në bulevard do të japë mesazhin në radhë të parë për rritjen e ndjeshmërisë”, theksoi Presidenti Topi.

Ai nënvizoi se “Shqipëria ka progresin e vet. Sot, sigurisht që Shqipëria ka problemet e saj. Por ju këtë ditë, jam i bindur që do e ktheni në një dominant, në një dominant për të cilin shoqëria shqiptare ka shumë nevojë, për tolerancë, për mirëkuptim dhe për gjithëpërfshirje, sepse kjo do e bëjë shoqërinë më humane, më të ndjeshme, ku vlerat e gjithsecilit do të kthehen në një të mirë të përgjithshme për Shqipërinë”, tha Kreu i Shtetit shqiptar.

Në çeljen e ceremonisë sportive në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Volfart, Zëvendësambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Elizabet Evans, Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti, Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, përfaqësues dhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të Fondacionit “Vodafone Albania”, të Qendrës Sociale “Don Bosko”, personalitete të njohura të botës së sportit shqiptar, si dhe Presidenti i Olimpikut Special Shqiptar, Ismet Bellova.

“Unë do të doja që nëpërmjet këtij takimi të jepja një apel, për një suport më të gjerë, për një rritje të ndjeshmërisë humane nga të gjithë! Në radhë të parë nga institucionet. Së dyti nga institucionet dhe së treti nga mbarë shoqëria”, apeloi Kreu i Shtetit.

Në këtë kontekst Presidenti Topi iu referua bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit” nga ku do të niset pishtari i lojërave olimpike, duke nënvizuar se “Ky bulevard padyshim që është aksi kryesor i Tiranës, është aksi ku janë vendosur institucionet kryesore të vendit. Është një bulevard, i cili në radhë të parë duhet të ketë simbolikën e paqes dhe më shumë se ju, askush tjetër nuk besoj që e demonstron këtë”, tha zoti Topi.

Kryetari i Shtetit në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi këtë nismë sportive e kthyer në traditë pas zhvillimit për të katërtin vit radhazi.

Presidenti Topi falenderoi në radhë të parë prindërit, që kanë rritur, edukuar dhe vazhdojnë të edukojnë tek fëmijët e tyre me probleme të caktuara fizike, dëshirën për ta përballuar atë e për të qenë të barabartë me të gjithë të tjerët.

“E kam thënë dhe herë të tjera dhe besoj që nuk e teproj se bota jonë njeh shembuj emblematikë të pjesëmarrjes dhe të fitimit të garave edhe nga njerëz me aftësi të kufizuara. Do të thotë që për njerëz me vullnet nuk ka asnjë lloj pengese”, theksoi Presidenti.

Ai falenderoi Presidentin e Olimpikut Special Shqiptar, Ismet Bellovën, i cili këtë vit rriti numrin e pjesëmarrësve, në 300 vetë që do të jenë pjesë e kësaj gare, e cila do të zhvillohet në Athinë pas disa ditëve.

Gjithashtu falënderoi edhe kompaninë ‘Vodafone Albania’, që me shumë përkujdesje e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë këtë iniciativë.

Ekzekutimi i himnit kombëtar dhe ndezja e flakës olimpike ishin dy çastet më emocionuese dhe mbresëlënëse të kësaj ceremonie.

Në këtë atmosferë Presidenti Topi i dorëzoi pishtarin e zjarrtë një ndër sportistëve pjesëmarrës në këto Lojëra me urimet më të përzemërta për suksese.

Më pas, flaka olimpike do të përshkojë itinerarin e përcaktuar nga organizatorët e Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2011.
(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment