Topi-Ambasadorët: Palët të vetëpërmbahen.

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.

Gjatë takimit u bisedua për situatën pas zgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces, njofton zyra për informime e presidencës.

Ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor.

Topi, pasi ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të Baroneshës Eshton dhe Komisionerit Fyle, vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të Ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Volfart për kapërcimin e kësaj sfide.

“Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit! Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike. Është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!”, deklaroi Topi.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment