Çmimet, rritje maksimale tek ushqimet dhe karburantet


TIRANË- Rritja e çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm po i kushton çdo ditë e më shumë buxhetit të familjeve shqiptare. Janë kryesisht ushqimet dhe karburantet ato të cilat kanë pësuar rritje


të konsiderueshme që prej ditëve të para të këtij viti duke bërë që konsumatorët të shpenzojnë gjatë kësaj periudhe më shumë para krahasuar me një vit më parë për të blerë të njëjtën sasi ushqimesh.


Krahas ushqimeve dhe karburanteve, edhe rritja e akcizës me 20 lekë për cigaret që prej janarit të këtij viti ka ndikuar ndjeshëm tek xhepat e duhapirësve, aq sa Banka e Shqipërisë e cilëson atë si një përbërës të rendësishëm në krijimin e inflacionit të përgjithshëm përgjatë kësaj periudhe.


Inflacioni
Raporti i Politikës Monetare i Bankës së Shqipërisë konfirmon një shtim të peshës së çmimeve të ushqimeve në treguesit e përgjithshëm të inflacionit përgjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Pra, nëse përgjatë kësaj periudhe, inflacioni mesatar ishte 4 për qind, plot 70 për qind e tij është krijuar nga ndikimi që ka pasur rritja e çmimeve të mallrave ushqimorë, karburanteve, cigares dhe ilaçeve.


Kjo e dhënë është tepër shqetësuese nëse marrim parasysh se më shumë se gjysma e shpenzimeve totale mujore të familjeve të vendit bëhet për t'u ushqyer. Të kombinuar me njeri-tjetrin, shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve me peshën e madhe në buxhetin familjar që kanë shpenzimet për t'u ushqyer, përkeqësojnë edhe më tepër gjendjen financiare të konsumatorëve.


Konsumi
Kjo rritje e ndjeshme çmimesh, po ndikon edhe në uljen e konsumit, rrjedhimisht edhe të tregtisë me pakicë. Referuar Bankës së Shqipërisë, përgjatë muajve janar-shkurt 2011, është vërejtur një ulje me 1.2 për qind e importeve të mallrave të konsumit, ndërkohë që gjatë muajve të fundit të vitit të shkuar, indeksi i tregtisë me pakicë ka pësuar një tkurrje me 1 për qind.

Ulja e konsumit konfirmohet edhe nga të dhënat në lidhje me realizimin e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili cilësohet si një tregues i ritmit të qarkullimit të mallrave në një vend. Ministria e Financave konfirmon realizimin e të ardhurave nga ky tatim në vlerën e 9.2 miliardëve lekë përgjatë muajit mars 2011, kundrejt 10.9 miliardë lekëve që ishte parashikuar.

Matja e inflacionit bëhet çdo muaj nga Instituti i Statistikave i cili merr në konsideratë lëvizjet e çmimeve për disa produkte të caktuar të cilat përbëjnë shportën e mallrave. Në të përfshihen mallra të konsumit të përditshëm, shërbime, strehim, etj.


Rritja e taksave shtrenjtoi çmimet
Tregjet ndërkombëtare nuk janë të vetmit "fajtorë", i rritjes së çmimeve në Shqipëri. Përpos kuotimeve në bursa të ushqimeve dhe karburanteve, të cilët cilësohen si ndikuesit kryesorë në këtë shtrenjtim, janë edhe një serë faktorësh vendas ata që po detyrojnë shqiptarët t'i blejnë mallrat e konsumit të përditshëm më shtrenjtë se rrallë më parë.

Në fund të vitit të shkuar, qeveria vendosi të rrisë me 20 lekë akcizën e cigareve duke rritur kështu në mënyrë automatike çmimin e këtij produkti në Shqipëri. Ndryshimet ligjore filluan së zbatuari që në ditët e para të janarit 2010, ku një paketë cigare nisi të shitej minimumi 20 lekë më shtrenjtë. Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, filloi zbatimi i regjimit të ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për ilaçet, e cila sipas ndryshimeve ligjore do të ishte 10 për qind. Që prej shkurtit, shqiptarët i kanë bletë ilaçet, 10 për qind më shtrenjtë.

Të dyja këto ndërhyrje të qeverisë, janë cilësuar në Raportimin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë si një ndër tre faktorët kryesorë në shtrenjtimin çmimeve përgjatë tre mujorit të parë të këtij viti, krahas shtrenjtimit në bursa të ushqimeve dhe karburanteve

(www.shekulli.com.al/2011/05/06/cmimet-rritje-maksimale-tek-ushqimet-dhe-karburantet.html)

No comments:

Post a Comment