Tirana pa fitues deri më 3 qershor, Kolegji do shqyrtojë padinë PS.

TIRANE- Procesi zgjedhor për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës është zhvendosur sot në Kolegjin Zgjedhor. Por ndërsa mendohej se sot do mësohej nëse në karrigen e kryetarit të Bashkisë do të ulej lideri i opozitës Edi Rama, apo ish ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, procesi mori një rrjedhë tjetër.

Në axhendën e sotme të Kolegjit Zgjedhor ishte parashikuar të merrej në shqyrtim kërkesë padia e Partisë Socialiste që kërkonte shfuqizimin e aktit normativ të miratur në parim nga KQZ më 18 maj. Sipas këtij akti KQZ në rolin e një KZAZ superiore vendos numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Nga ky numërim Lulzim Basha u shpall fitues me 81 vota më shumë. Partia Socialiste kërkon shfuqizimin e gjithë procedurave te ndjekura për numërimin e këtyre votave dhe shndërrimin e tyre në nul.

Në fillim të seancës përfaqësuesi ligjor i PS-se Eno Bushi i kërkoi anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që objekt padisë t'i shtohej dhe padia që PS kishte bërë pak ditë më vonë dhe ku kundërshtonte vendimin e KQZ te datës 23 maj ku akti normativ ishte miratuar në tërësi dhe kishte marrë fuqi ligjore.

Nga ana e tyre pëfaqësuesit ligjor të KQZ e kundërshtuan kërkesën e PS-se, ndërsa sa i përket aktit normativ te 18 majit në KQZ deklaruan se nuk ka fuqi ligjore.

Kolegji Zgjedhor,me relatore gjyqtaren Sashenka Jonuzi e anëtarë Entela Prifti, Marie Qirjazi, Astrit Kalaja dhe Meriban Mullai u tërhoqën dhe në vendimin e marrë pas disa minutave, nuk pranoi kërkesën e PS për bashkimin e 2 objekt padive ne një, me argumentimin se PS nuk ka ndjekur procedurat për të shtuar objekt padinë.

Në këtë moment përfaqësuesi tligjor të Partisë Socialiste u tërhoqën nga padia për tu përgatitur për objekt padinë ku kërkohet pavlefshmëria e aktit normativ që KQZ miratoi në tërësi më 23 maj për numërimin e fletëve të votimit për kryetarin e bashkisë në kutinë e gabuar.

Kjo kërkesë padi e dytë e paraqitur në Kolegjin Zgjedhor kundërshton vlefshmërinë e aktit normative që KQZ miratoi në tërësi vetëm me 4 votat e maxhorancës, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan.

Menjëherë pas seancës, avokati i Partisë Socialiste tha se “Hoqëm dorë nga kjo kërkesë padi, për të vazhduar me gjykimin e kërkesës tjetër, që ka një objekt padie më të plotë.”

Me hedhjen e shortit u caktua gjyqtari Tom Ndreca si relator i çështjes dhe anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të cilët më 3 qershor ora 10:00 do shqyrtojnë ankimimin e PS.
Në varësi të këtij vendimi Kolegji Zgjedhor do të vendosë për fatin e kreut të ardhshëm të Bashkisë. Nëse Kolegji vendos pro kërkesës, duke shpallur të “pavlefshëm” aktin normativ që nxorri Bashën fitues me 81 vota, Edi Rama do të shpallet kryetar i bashkisë së Tiranës, me 10 votat diferencë që mori nga rezultatet e 485 qendrave të votimit në 11 KZAZ. Nëse kolegji e hedh poshtë kërkesën e PS, Lulzim Basha, do të ulet në detyrën e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se rivali i tij, kreu aktual i PS.

Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të bëjë sot publike rezultatet në rang vendi në proporcional për secilën nga subjektet politike që garoi në zgjedhjet lokale të 8 Majit. “Gazeta Shqiptare” shkruan se rezultatet në rang vendi për proporcionalin që secila forcë politike ka arritur në 8 Maj”, u shpreh ai.

(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment