Tirana-Dinamo një finale për milionat e Evropës

 
Tirana e Dinamo do të luajnë sot në orën 19.00 finalen e Kupës së Shqipërisë, një sfidë që për këto dy skuadra do të thotë shpëtimi i një sezoni të mbushur me probleme dhe ulje-ngritje. Në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit do të përballen dy ekipet e kryeqytetit, ndërkohë që në valle është trofeu i dytë për nga rëndësia në vend. Si Tirana, ashtu edhe Dinamo, kanë shansin t'i japin një kuptim këtij sezoni, në të cilin ato kanë qenë shumë pak protagoniste për mirë. Bardheblutë e nisin këtë takim si favoritë, duke parë krizën që ka përfshirë Dinamon. Përpos kësaj, në të dy kampet mbizotëron besimi, se në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka. Dinamo është duke kaluar një nga periudhat më të këqija të ekzistencës së saj, por sërish ajo ka në përbërje futbollistë që mund të bëjnë diferencën. Problemi më i madh për këtë ekip do të jetë mbrojtja, ku mungesa e Arjan Pishës ka lënë një boshllëk të madh.
Evropa
Fitorja e sotme, më shumë sesa për trofeun, ka një rëndësi të madhe për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. As Dinamo e as Tirana nuk kanë mundur të renditen mes tre ekipeve të para, kështu që vajtja në Europa League do të varet vetëm nga finalja e sotme. Për bardheblutë, ndeshja me Dinamon është e fundit e këtij sezoni dhe futbollistët kanë të paktën 4 javë që mendojnë për të. Presidenti Refik Halili madje u ka dhënë një ultimatum lojtarëve, që të fitojnë nëse duan të marrin rrogat e prapambetura. Gjithsesi, problemi i bardhebluve mbetet sulmi, pasi Pero Pejiç nuk duket më ai i fillimit të sezonit dhe pjesa më e madhe e golave ka ardhur nga mesfushorët. Pjesëmarrja në Evropë ka një ndikim direkt edhe për sezonin e ardhshëm, duke qenë se nga ajo varen financat e klubit kryeqytetas.
Arbitrat
Një nga temat më të përfolura të dy ditëve të fundit mes Dinamos dhe Tiranës, ka qenë ajo e arbitrave. Edhe pse dy klubet kërkuan fillimisht që ai të ishte i huaj, ato nuk depozituan paratë, kështu që gjyqtari do të jetë vendas. FSHF ka negociuar mes tre emrave, Albano Jankut, Lorenc Jeminit dhe Enea Jorgjit për të caktuar arbitrin e finales, që do të zbulohet vetëm sot. Ndërkohë, një tjetër temë e "nxehtë" ka qenë policia, e cila për shkak të përqendrimit para KQZ-së e ka patur të vështirë të marrë përsipër ndeshjen. Ishte kjo arsyeja përse finalja u spostua në Durrës, aty ku mund të shkojnë edhe uniforma blu nga rrethet. Ajo u bë e pamundur për në "Qemal Stafa", për shkak se ky stadium ndodhet vetëm pak metra larg vendit ku po zhvillohet rregullisht protesta e simpatizantëve të Partisë Socialiste.

(BalkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment