Tenorët italianë sjellin “Don Carlos”-in e Verdit në TKOB

Me “Don Carlos” Verdi iu qas për të katërtën dhe të fundit herë një drame të Shilerit, poetit që ndan me Hygonë dhe Shekspirin vendin e parë mes autorëve më të pëlqyer të kompozitorit. Verdi iu përmbajt shumë shpirtit dramatik shilerian, megjithëse ia nënshtroi libretin shumë ndryshimeve. Nga disa deklarime të vetë kompozitorit, rezulton shumë e qartë që mbreti i Spanjës është protagonisti i vërtetë i operas “Don Carlos”. Kjo vepër e Verdit do ngjitet për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit më......24, 26, 28, dhe 30 maj. Një bashkëpunim italo-shqiptar, që sjell një nga operat më të vështira operistike. Edhe kjo vepër i është besuar mjeshtërisë regjisoriale të Nikolin Gurakuqit dhe dirigjentit të korit Dritan Lumshi, ndërsa pjesa tjetër e stafit i përket palës italiane, si as. dirigjent Andera Albertin dhe mjeshtër koncertues Gianluca Martinenghi. Po ashtu dhe barra më e madhe e interpretimit u është lënë tenorëve miq nga Italia. Filippo II, mbretin e Spanjës, e sjell baritoni i lindur në Venezuelë, por me nënshtetësi italiane Victor Garcia Sierra. Të birin e mbretit Don Carlos e sjell tenori Leonardo Gramegna, i cili është tashmë i njohur për publikun shqiptar në interpretimin e Otellos përkrah sopranos shqiptare Marjana Leka. Ndërsa tenorit tonë, lindur dhe të formuar si këngëtar lirik në Shkup të Maqedonisë, por që prej vitesh ka pushtuar skenat italiane, ku ka interpretuar së fundmi dhe në Teatrin Filarmonik të Veronas, Aleksandar Stefanoski-t i është besuar roli i Inkuizitorit të madh, për ta vazhduar në role të tjera: Rodrigo, Markezi i Pozës, intepretuar nga Enrico Marruçi; Monaku nga Armando Cafario; dhe Elisabetta nga Simona Bertini dhe sopranoja shqiptare Sonila Baboçi. Pjesa e stafit të TKOB-së që do të sjellin në skenë të plotë operan “Don Carlos” janë: Nevila Hasa në rolin e Eboli-t, Sindi Mamaqi dhe Rezarta Qevani në rolin e Tebaldo-s,

Ardian Kamberi dhe Denis Skura në rolin e Konti i Lermës dhe Araldos dhe Rezarta.

Subjekti i operas “Don Carlos” është vendosur në vitin 1568, viti i Traktatit të Paqes mes Spanjës dhe Francës. Në pyllin e Fontainebleau disa druvarë presin dru; arrin Elisabetta Valois (vajza e mbretit francez Henriku II) në shoqërinë e pazhit Tebaldo dhe një grupi gjahtarësh. Ndërkohë, Don Carlos, djali i mbretit të Spanjës, Filipit II, vëzhgon i fshehur kalimin e princeshës, e cila është destinuar të martohet si shenjë paqeje mes dy vendeve. Është mëkat që Verdi në versionet e mëvonshme sakrifikoi disa nga faqet më të bukura të kësaj opere, për t’i lënë francezët të dilnin nga teatri vetëm disa minuta më përpara; mes tyre, për shembull kori i druvarëve në pyllin e Fontainebleau, i cili sillte në orkestër një motiv të karakterizuar nga një açiakaturë prej gjysmë toni, që në vijimin e operas zbulohet si një lloj ideje fikse, të cilës i nënshtrohen të gjithë karakteret e dramës. Në atë shqetësim, në atë paqëndrueshmëri kromatike të harmonisë, qëndron veçantia stilistike më autentike e “Don Carlos”, dhe është ky realizimi me vërtetësi përmes gjuhës muzikore i atmosferës mbytëse të trajtuar nga Shileri, me synimin e nënvizimit të kërkesës për liri, si premisë për rindërtimin historik të një epoke ndër më të errëtat, asaj të inkuizicionit.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment